Në mungesë të kryesuesit të Bordit të Agjencisë Kosoves të Privatizimit (AKP), Nazmi Mikullovci, vartësit të tij Syzana Dautaj-Surdulli, dhe auditores së përgjithshme, Vlora Spanca është shtyrë për të hënën raportimi para Komisionit për Buxhet lidhur me raportin e auditimit për të “Hyrat nga Qiraja e Agjencisë Kosovare të Privatizmit”. Ndonëse, zëvendës auditori i përgjithshëm përmendi të gjeturat e ZKA-së për AKP-në.
Sqarime për mungesën e krerëve të këtyre dy institucioneve dhanë përfaqësuesit e tyre. Ndërsa, kërkesa për shtyrje të këtij debati erdhi nga deputetët e opozitës dhe pozitës që janë anëtarë të këtij komisioni.
Zëvendës-auditori i Përgjithshëm, Bezart Halilaj u shpreh se zakonisht raportet e aludimit përfaqësohen nga personat që marrin pjesë në auditim.
Ai theksoi se Spanca për shkak të disa angazhime tjera nuk është prezentë në këtë Komisioni.
“Kur diskutohen raportet e auditimit, zakonisht përfaqësimin si praktikë në Komisionin për Mbikëqyrje të Financave është që të marrin pjesë ekipet që për së afërmi kanë qenë pjesë në auditim, me këtë rast zonja Spanca e ka mirëpritur ftesën ….gatishmëria nuk ka munguar, por edhe për shkak të angazhimeve të saj”, tha ai.
Halilaj tha se raporti i auditimit për të “Hyrat nga Qiraja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit” përfshinë periudhën nga viti 2011-2021, ndërsa gjithsej janë identifikuar 42 gjetje të përmbledhura në 14 çështje që evidentojnë parregullësi të ndryshme.
Zëvendës-auditori i Përgjithshëm u shpreh se nga ky raport tregon se AKP nuk kishte bërë përpjekje të mjaftueshme për të menaxhuar si duhet pronat shoqërore.
“Toka e dhënë me qira për shfrytëzim afarist kemi vërejtur se është përdorur edhe për eksploatim të gurit gëlqeror duke shndërruar pronën në gjendje thuajse të pakthyeshme. Po ashtu kemi vërejtur keq menaxhim me sipërfaqe të pronave shoqërore të lëshuara me qira dhe shfrytëzim i tyre nga subjektet që nuk kanë marrëdhënie kontraktuale me AKP-në. Kemi vërejtur që janë dhënë prona me qira duke iu shmangur parimit të konkurrencës së lirë të transparencës, gjithashtu mungesë e hulumtimit të tregut dhe çmimit sa i përket tregut para se AKP të vazhdoj kontratat me qira, dhe kemi vërejtur që janë vazhduar kontrata pa u bë hulumtim i tregut dhe pa e identifikuar qëllimin e dhënies dhe ka pas raste edhe kur janë vazhduar kontratat pa i shlyer obligimet paraprake. Kemi vërejtur se është bërë përcaktimi i çmimit pa ndonjë mbështetje ligjore si dhe ndryshimi i kushteve të asteve pa aprovimin e Bordi të drejtorëve… ZKA konkludon se Agjencia nuk kishte bërë përpjekje të mjaftueshme për të menaxhuar si duhet pronat dhe astet shoqërore dhe mungesa e menaxhimit lidhur me pronat e dhëna me qira nga AKP tregon se sistemi i kontrollit të brendshëm nuk ishte në nivelin e duhur”, u shpreh ai.
Anëtari i Bordit të AKP-së, Mentor Hyseni u shpreh se kryesuesi i Bordit të AKP-së, Nazmi Mikullovci për shkaqe shëndetësore nuk ka mundur të jetë prezent në këtë mbledhje.
Ndërsa, zëvendës kryesuesja e Bordit, Syzana Dautaj-Surdulli ka pas angazhime të tjera.
“Fatkeqësisht ai ka probleme shëndetësore dhe si rrjedhojë nuk ka mundur në raste të tilla zëvendës kryesuesi e zëvendëson kryesuesin e Bordit që fatkeqësisht edhe ajo nuk është prezent, ka dërguar shpjegime dhe tek Komisioni me gjasë por neve na informuar se ka një angazhim tjetër dhe e ka të pamundur me ardh”, theksoi ai.
Lidhur me të gjeturat e raportit të auditimit tregojnë se AKP ka dështuar në mbarëvajtjen e detyrave të saj dhe monitorim të pronave.
“Ne si Bord do të zotohemi që do ta përgatisim një plan për implementimin e këtyre rekomandimeve pa marr parasysh fusha e veprimit përfshinë periudhën që ne nuk kemi qenë si bord…Disa hulumtime që ka bërë ZKA, AKP me 250 punëtorë në 10 vitet e kaluara nuk i ka bërë, prandaj kjo nuk ka sens kur një grup me 5-6 auditorë e bënë një hulumtim të tillë e AKP që e ka në mandat të vetin dhe profil të fushëveprimit dështon me bë në 10 vitet e kaluara. Flitet për keq menaxhim të parasë publike ose mos inkasim të asaj pjese të inkasimit…Pajtohemi që AKP ka dështuar në mbarëvajtjen e detyrave të saj dhe monitorimin e pronave të cilat i ka në të gjitha regjionet”, theksoi ai.
Por, pas këtij diskutimi reagoi deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti i cili kërkoi që diskutimi për këtë pikë të shtyhet meqenëse nuk janë të pranishëm krerët kryesor të AKP-së dhe ZKA-së.
“Konsideroj se nuk jemi të përgatitur sot dhe në mungesë të bartëses kryesore të këtyre dy institucione të rëndësishëm…Nuk po shoh që sot jemi të përgatitur me bë këtë diskutim substancial dua ta dëgjoj nga kryetari i Bordit të AKP-së çka po bënë, dua të dëgjoj nga auditorja e përgjithshme cili është vlerësimi i saj për raportet 10 vjeçare të aludimit që ka bërë për AKP-në”, deklaroi Hoti.
Mendim të njëjtë ndau edhe deputeti nga radhët e PDK-së, Ferat Shala.
“Nuk i kemi edhe përgjegjësitë kryesor nuk e dimë saktësisht se kush ka dal me demant edhe pse e kemi drejtorin menaxhues e shohim që këto mekanizma nuk kanë kaluar përmes Bordit, përgatitet AKP, auditorët qenkan të përgatitur na duhen një sesion i veçantë kur janë të gatshëm këta që ne ta kem edhe kohë që të shtrojmë pak më gjatë dhe në kushte normale. Andaj sot mendoj se nuk kemi kushte me mbyll dhe kisha kërkuar që ky debat të mbyllet sot”, u shpreh Shala.
Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani u shpreh se asnjë raport i auditimit nuk mund të diskutohet pa qenë të pranishëm bartësit kryesor.
“Asnjë raport i Audimit apo çfarëdo qoftë nuk mundet me diskutua pa qenë bartësi kryesore, kështu që mendoj që nuk kemi pse me zgjat më shumë kur kemi një dakordim paraprakë”, theksoi ai.
Ishte kryetari i Komisionit për Buxhet, Armend Muja i cili u interesua të di motivin e reagimit të AKP-së lidhur me raportin e Auditimit. Derisa, anëtari i Bordit të AKP-së, Mentor Hyseni e quajti këtë reagim të ngutshëm me të cilin në parim nuk pajtohet.
“Në parim nuk është që jam pajtuar me atë pjesë të deklaratës për medie…Ndjej keqardhje ne si bord nuk është që e kemi diskutua në takim, as nuk është mbajtur takim për këtë, por menaxhmenti thuhet se është konsultuar me kryesuesin e Bordit dhe zëvendëskryesuesin”,u shpreh Hyseni. /TV Arbëria