Ndihma nga e gjithë bota po shkon drejt Turqisë dhe Sirisë, pas tërmetit të djeshëm vdekjeprurës.
Rreth 70 vende dhe 14 organizata ndërkombëtare janë ofruar të ndihmojnë në operacionet e kërkim-shpëtimit për Turqinë, ka thënë të martën presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan.
Një ekip hungarez i shpëtimit prej 50 personash, duke përfshirë pesë mjekë ushtarakë dhe dy qen kërkimi, ka zbarkuar në Adana, Turqinë jugore, gjatë natës dhe tani është nisur për në provincën e Hatay, sipas qeverisë hungareze.
Koreja e Jugut planifikon të ofrojë ndihmë humanitare në vlerë prej 5 milionë dollarësh për Turqinë dhe të dërgojë rreth 110 punonjës të ndihmës dhe personel ushtarak për të mbështetur punën e saj të kërkim-shpëtimit, ka bërë të ditur të martën ministria e jashtme.
Agjencia Palestineze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar do të dërgojë 70 ekspertë në zonën e tërmetit këtë javë, duke dërguar dy ekuipazhe të përbërë nga mbrojtja civile, ministria e shëndetësisë, Kryqi i Kuq Palestinez, mjekë dhe inxhinierë.
Pakistani ka vendosur dy kontingjente të shërbimeve të urgjencës në Turqi, duke përfshirë një ekip kërkimi dhe shpëtimi, qen nuhatës, mjekë të ushtrisë dhe staf infermieror, shkruan CNN.
Kina tha se do të dërgojë 40 milionë juanë (5.9 milionë dollarë) ndihmë në Turqi, ndërkohë që do të koordinojë gjithashtu me Sirinë për furnizimet emergjente dhe do të përshpejtojë projektet e vazhdueshme të ndihmës ushqimore.
Dy grupe izraelite të ndihmës kanë marrë një fluturim special për në Gaziantep të martën për të dërguar personel dhe pajisje për viktimat. Sipas zyrtarëve, në bord do të jenë të paktën 10 specialistë të kërkim-shpëtimit.
Agjencia Federale e Gjermanisë për Ndihmën Teknike (THW) të martën do të dërgojë një ekip prej 50 ekspertësh të rimëkëmbjes në Turqi.
Ndryshe, mbi 5 mijë njerëz kanë vdekur dje si pasojë e tërmetit në Turqi dhe Siri.
/TV Arbëria