ATK njofton bizneset se janë të obliguara të lëshojnë kuponë fiskal edhe për shitjet online.
Administrata Tatimore e Kosovës(ATK), rikujton të gjithë personat se furnizimi i mallrave dhe shërbime në mënyrë elektronike përmes internetit është një formë e tregtisë, ku tregtia dhe afarizmi në përgjithësi kryhen në të njëjtën mënyrë si në çdo treg tjetër.
Sipas ATK-së, tregtia në distancë, apo elektronike, ose e ashtuquajtur “online”, ndryshon vetëm në atë që prania personale e shitësit dhe blerësit nuk është e nevojshme që furnizimi të kryhet.
“Për të gjitha furnizimet e mallrave dhe/ose shërbimeve përmes internetit (online), furnizuesi obligohet të lëshojë kuponë fiskal apo faturë tatimore, varësisht nga ajo se për kënd bëhet furnizimi. Për furnizimet të cilat bëhen për konsumatorin e fundit (personin fizik jo-afarist), furnizuesi obligohet të lëshojë kuponë fiskal, ndërsa kur furnizimi bëhet për biznesin (personin fizik afarist apo personin juridik), furnizuesi obligohet të lëshojë faturë tatimore”, thuhet në njoftimin e ATK-së .
Më tej thuhet se kuponi fiskal është i obliguar të lëshohet edhe ne rastet kur pagesa bëhet përmes POS-it bankar apo edhe llogarisë bankare. Po ashtu printimi dhe dhënia e kuponit fiskal është e obliguar në momentin e regjistrimit të furnizimit në Pajisje Elektronike Fiskale.
“Pra, aktiviteti i tregtisë përmes internetit (online) obligohet për regjistrimin e transaksioneve përmes Pajisjeve Elektronike Fiskale. Kjo do të thotë se furnizuesi (shitësi) është i detyruar që kur furnizon mallra dhe/ose shërbime përmes internetit, të lëshojë kuponë fiskal dhe atë t’ia dërgojë klientit së bashku me produktin”, thuhet në komunikatën për media të ATK-së .
“Çdo qytetar, për të qenë në gjendje që të ushtrojë të drejtat e tij si konsumator, është e rëndësishme të njihet me detyrimet e tij, ku njëra prej tyre është marrja e kuponit fiskal”, vazhdon komunikata.
Sipas njoftimit këto mjete përmes të hyrave buxhetore kthehen në buxhetin e Kosovës, të cilat më tutje përdoren për ndërtimin e infrastrukturës publike, spitaleve, shkollave, çerdheve për fëmijët, etj., nga të cilat projekte përfitojnë drejtpërdrejt apo indirekt qytetarët.
“Duke marrë kuponin fiskal, qytetarët marrin pjesë drejtpërdrejt në “luftimin” e ekonomisë së hirtë dhe në këtë mënyrë kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të shtetit dhe të shoqërisë”, thuhet në fund të këtij njoftimi.
/TV Arbëria