Papa Françesku dhe krerët e kishave protestante në Angli dhe Skoci kanë denoncuar kriminalizimin e homoseksualitetit.
Pas vizitës në Sudanin e Jugut, Papa para gazetarëve tha se ligje të tilla ishin një mëkat dhe “një padrejtësi”, duke thënë se njerëzit me “prirje homoseksuale” janë fëmijë të Zotit dhe duhet të mirëpriten nga kishat e tyre, shkruan BBC, përcjellë TV Arbëria.
“Kjo nuk është e drejtë. Personat me prirje homoseksuale janë fëmijë të Zotit”, tha Papa.
Komentet e tij u mbështetën nga Kryepeshkopi i Canterbury-t dhe Moderatori i Kishës së Skocisë dhe kjo është hera e parë që liderët e tre traditave bashkohen për një rrugëtim të tillë në 500 vjet.
Kujtojmë që muajin e kaluar Kisha e Anglisë tha se do të refuzojë të lejojë çiftet e të njëjtit seks të martohen në kishat e saj.
Aktualisht, sipas ILGA World, 66 shtete anëtare të OKB-së kriminalizojnë marrëdhëniet konsensuale të të njëjtit seks.