Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kulturë-Histori > Nga rrjedh fjala arbër/arbën, shpjegime nga albanologë

Nga rrjedh fjala arbër/arbën, shpjegime nga albanologë

Fjala Arbër apo Arbën është vijimësia iliro-shqiptare. Është emër i lashtë i shqiptarëve deri në mesjetën e vonë, që u zëvendësua në periudhën e pushtimit osman me emrin e sotëm shqiptar.

Një ndër detyrat themelore të Albanologjisë ka qenë sqarimi i kuptimit të etnonimit arbër të kombit tonë. Shumë studiues shqiptarë e të huaj kanë dhënë mendimet e tyre, por asnjëri prej tyre nuk ka arritur në një përfundim të pranueshëm nga të gjithë.

Rreth etimologjisë së fjalës ARBËR/ARBËN:

Vijimësia iliro -shqiptare që del me lidhjen e emrit kombëtar të shqiptarëve në Mesjetë (me burimet byzantine) , “Αλδανοι”, “Αρδανιται” vendi “Αρδανον”, në burime latine Albanenses/Arbaneses, në shqipe arbër/arbën, arbënesh/arbëresh, arbënor/arbëror. (Domi, 1982:17)

Për herë të parë dëshmohet nga gjeografi Aleksandrinas Klaud Ptolemeu, në një hartë të shek. II të erës së re, ku shënohet fisi Albanoi, si njëri prej fiseve ilire , edhe qyteti Albanopolis në Shqipërinë e Mesme, afërsisht midis Durrësit dhe Dibrës. Prej emrit të këtij fisi rrjedh edhe emri i shqiptarëve, i gjuhës dhe vendbanimit të tyre. Si fjalë e dokumentuar në gjuhën shqipe dëshmohet te Buzuku (XVIII/2b) (Çabej II, 1976:61).

G.Mayerit dhe P. Skoku arrrijnë në këtë mendim: me emrin arbëresh, arbënor emërtohen edhe shqiptarët në Greqi dhe Itali, për të cilët emërtimi shqiptar është krejtësisht i panjohur. Ndërsa Mayeri shkon edhe më tej: me këtë emër emërtohen banorët e bregdetit në veri të Korfuzit dhe të prapatokës së tij, rreth Vlorës, Kurveleshit etj., që i përgjigjen kryesisht Kaonisë së vjetër. Kjo zonë quhet edhe labëri, lapëri, çka është një metatezë sipas ligjit fonetik të sllavishtes albëri për arbëri për /l/- në e së cilës krahasohet me greqishten. (Mayeri,2007:51)

Pederseni mendon se kjo fjalë ka lidhje me një fis shumë të vjetër , dhe merr për primare arb – , dhe mendon për një afrim të arbën-it me greqishten (jetim), duke parë aty emrin e një fisi të shkulur prej tij. (Pederseni, 2003:111)

Ndërsa për Joklin kjo fjalë e mbarë gjuhës ka të bëjmë një emër paraindoevropian. Hani dhe pas tij Temascheku, e afronte këtë emër me disa emra antik të Ballkanit Perëndimor dhe me emrin e ishullit Arbe (Rab/Rabënë) të Adriatikut Verior; po kështu edhe Shuflai. Ai shënon se sllavët viset e Shqipërisë së sotme në kohën të mesme i kanë quajtur me emrin Rabënë, përkatësisht Arëbanëse dhe në gjuhën shqipe me mbiemrin rabënëski, i cili del në mbishkrimin sllav të Karl Topisë (1381).

Profesor Demiraj, qartëson se: më të vjetrat duhet të jenë trajtat Rabënë dhe rabënëski,  ku rrokja nistore ar- e Arbënë është shndërruar në ra- në bazë të dukurisë së njohur të metatezës të bashkëtingëlloreve lëngore në sllavishten e Ballkanit dhe në sllavishten perëndimore në përgjithësi. Dukuria e metatezës së lëngëzoreve apo “ligji i hapjes së rrokjeve të mbyllura nëpërmjet metatezës” në lëngëzoret e sllavishtes perëndimore dhe e Ballkanit, është përftuar vonë, nga fundi i shekullit të IX të erës sonë. Pra, trajta më e vjetër Rabënë ˂ Arbënë, që ka pësuar metatezën ar-˃-ra, ka hyrë në sllavishten e Ballkanit nëpërmjet kontakteve të drejtpërdrejta midis stërgjyshërve të shqiptarëve dhe stërgjyshërve tanë veriorë sllavë në periudhën e shekullit të IX dhe para shekullit XII, d.m.th. përafërsisht aty nga shekulli i X ose të shumtën në shekullin e XI. Por, po të kihet parasysh se emri Arbanona Albanon dëshmohet tek të huajt qysh në shekullin e XI, çka parakupton përhapjen më të hershme të këtij emri, atëherë duhet pranuar që ndër fqinjët tanë veriorë ky emër do të jetë përhapur jo më larg se shekulli i X i erës sonë. (Demiraj, 1988:223)

Por disa gjuhëtarë (Pedersen, Jokli, Çabej) kanë marrë parësore rrënjën arb- , që kanë krijuar arbër/arbën si forma prej vendit Arbëni/Arbëri dhe gjuhës arbënisht/arbërisht. Në burime historike ky emër përmendet së pari në shek.XI nga kronistët bizantinë Mihal Ataliates dhe Ana Komnena. Forma arbënka depërtuar edhe në gjuhë të tjera ballkanike skr.Rabънꞃъ, bullg. Arbanasim, rum.vj.Arbanas gr.Αρβανον, turq.Arnaut etj. (Topalli, 2017:113)

Ashtu siç ndodh me emrat e fiseve dhe të popujve, në fillim ky emër i përkiste popullsisë që banonte në Shqipërinë e Mesme dhe rreth shek. XIV , u shtri në gjithë vendin, duke u bërë emri kombëtar i shqiptarëve që në kohë të Skënderbeut, si edhe ata që emigruan në Greqi a Itali mbajtën emrin e vjetër arbëreshë. Edhe në shkrimet e vjetra te Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani ndeshet ky emër.

Profesor Topalli shkon edhe më tej, duke hedhur mendimin se për dy rrënjët alb dhe arb përfaqësojnë një fjalë të vetme, që ka ardhur përmes gojës së shqiptarëve nga lashtësia deri në ditët e sotme; por ndryshimi që paraqesin ato për punë të lëngëzoreve nuk shpjegohet me ligjet historike të shqipes. Prandaj, njëra prej tyre është ndryshuar duke u lidhur a duke u përzier me ndonjë fjalë tjetër të ngjashme, ose në antikitet mund të kenë qenë të dyja trajtat, një dukuri e njohur edhe për disa trajta të tjera.

Rrënja alb ka përparësinë e dokumentimin e saj më të hershëm, afërsisht para 2000 vjetësh; kurse rrënja arb-ka mbështetje në vijimësinë e saj në gojë të banorëve që e mbajnë këtë emër si dhe emërtimet e shumta në toponimi. Topalli del në përfundimin se po të nisemi nga forma alb, kjo mund të lidhet me rrënjën alb i bardhë, lat. albus , kurse ndryshimi i saj në arb ka ndodhur duke u përzierë me emrin “arë”, “fushë” ashtu si del në shprehjen mal e arbën “ mal e fushë”, që ka Kurbini, zonë ku shtrihej fisi i i albanëve, duke pasur parasysh fushën ndërmjet Matit e Erzenit; khs. edhe te Logoreci: Mal e arbën u dyndën; Qiti në mal e n’arbën; I ra malit e arbnit kryq e tërthuer; Cordignano e Dema: arben “fushë”. (Topalli, 2017:113)

Ndërsa profesor Topalli shkon edhe më thellë në analizën e tij: shënojmë se një rrjedhë të drejtpërdrejtë indoevropiane nga rrënja aru-(Çabej) nuk do të përligjte praninë e –b-së, meqenëse zhvillimi fonetik i /rv/˃/rb/ka ndodhur vetëm në huazimet latine (lat.corvus-˃ korb), por ajo dhe fjalë të trashëguara, ku një –u- pas një lëngëzoreje ka rënë (khs.ie.aru-˃arë). Formime nga ky emër janë: Arbëni/ Arbëri për vendin, arbënesh/arbëresh e arbënor/arbëror për banorin, arbënisht/arbërisht për gjuhën.

 

/TV Arbëria

Powered by WordPress