Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Koeficienti, opozita shpreson në reflektimin e Qeverisë

Koeficienti, opozita shpreson në reflektimin e Qeverisë

Caktimi i vlerës së koeficientit në lartësinë prej 105 eurosh për këtë vit për pagat në sektorin publik, ka nxitur reagime të shumta. Nga pushteti u shprehën se vlera e këtij koeficienti është bërë nga përllogaritjet sipas mundësive. Ndërsa, nga opozita deklaruan se kjo vlerë është turpëruese, derisa shpresojnë se deputetët në Kuvend të kenë një qasje më serioze karshi e situatës, në të cilën ndodhet vendi. Sipas opozitës, vlera e koeficientit do të duhej të ishte më e lartë.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu tha se kjo vlerë e koeficientit ka zhgënjyer pothuajse të gjithë punëtorët e sektorit publik, duke nxitur edhe braktisjen e mëtejmë të vendit.

Haxhiu: Vlera e koeficientit është turpëruese

“Kjo është një vlerë e koeficientit turpëruese që e ka miratuar Qeveria e Kosovës. Shpresoj që në Kuvend, deputetet të kenë një qasje më serioze karshi me situatën në të cilën ndodhemi, në veçanti nëpunësit e sektorit publik, për shkak të krizës ekonomike, inflacionit, sepse në shumë sektorë nuk do të ketë rritje të pagave por ulje të tyre. Është ligj diskriminues, por tani me këtë koeficient ka zhgënjyer pothuajse të gjithë nëpunësit e sektorit publik. Duket si një veprim i qëllimshëm i qeverisë për të zhgënjyer edhe qytetarët që ata ta braktisin vendin duket jo e rastësishme.”, tha Haxhiu.

Deputeti nga Lidhja Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa u shpreh se një koeficient do duhej të ishte së paku 125 euro.

Ai tha se kryeministri Kurti është kujdesuar vetëm për veten duke e rritur pagën në lartësinë e një rroge mesatare në Kosovë.

Mustafa: Kurti ia rriti pagën vetes

“Për LDK-në është një koeficient që nuk reflekton gjendjen e rëndë ekonomike, gjendjen me inflacionin, me rritjen e çmimeve. Të gjithë qytetarët, veçanërisht zyrtarët publikë gati 87 mijë sosh kanë pritur një reflektim nga kjo qeveri në pagën e tyre. Pra, një koeficient sipas LDK-së do duhej të ishte së paku 125 euro për të reflektuar rritjen e çmimeve. Kryeministri i Kosovës është kujdesur për veten, duke i rritur pagën vetvetes rreth 1350 në mbi 1780 euro, pra rritje mbi 400 euro për vetveten, një pagë mesatare e qytetarëve të Kosovës i ka shtuar vetvetes, përderisa për zyrtarët publikë është kujdesur që një pjesë të madhe të tyre mos t’ju rritet rroga fare e një pjesë të tyre edhe duke u zvogëluar pagën.”, u shpreh ai.

Ndërsa, nga pozita u potencua se është inkurajues fakti që është paralajmëruar se në vitin 2024, do të rritet vlera e koeficientit.

Nënkryetarja e dytë e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku tha se vlera e koeficientit prej 105 eurosh është bërë bazuar në përllogaritjet, sipas mundësive.

Kollçaku, që kryeson edhe Komisionin parlamentar për Shëndetësi, u shpreh se ka dyfishim të pagave të mjekëve, për të cilën kategori ka pasur më shumë kërkesa.

Kollçaku: Koeficienti është bërë bazuar në përllogaritjet sipas mundësive

“Është e qartë se bazuar në rrethanat, në situatën ekonomike në vend, ky është koeficienti që është bërë bazuar në përllogaritjet sipas mundësive. Nëse flasim për sektorin e shëndetësisë dhe me theks të mjekët që ka qenë kërkesa më e madhe të përmirësohet paga, tash kemi një dyfishim të pagës së mjekëve specialistë, rritje e pagave në përgjithësi ne sektorin e shëndetësisë. Unë edhe si kryetare e komisionit do të angazhohem në vazhdimësi, jo vetëm të kontribuojë në përmirësimin e situatës në përgjithësi, por sidomos tek kushtet e punës, edukimi i vazhdueshëm profesional, ndarja e mirëfilltë e specializimeve sipas nevojës dhe kjo është në pako që ne duhet t’i ofrojmë punëtorëve shëndetësorë që ata të ndihen më mirë dhe e mira s’ka fund, por këto ishin mundësitë reale për momentin. Fakti që është paralajmëruar se në vitin 2024, do të rritet vlera e koeficientit është inkurajuese. 1:22 Mosmiratimi, nëse (ligji) dërgohet në Gjykatë Kushtetuese dhe bie do të mbesim si jo tani dhe tani për tani nuk është situata e mirë edhe sa i përket pagave.”, tha Mulhaxha-Kollçaku.

Ndryshe, qeveria më 1 shkurt ka përcaktuar vlerën e koeficientit 105 euro për paga në sektorin publik. Ndërsa, Ligji për pagat është miratuar në dhjetor të vitit 2022. Pagat me koeficientin e ri do të fillojnë se zbatuari nga ky muaj, në rast se i njëjti nuk përfundon në Gjykatën Kushtetuese.

Avokati i Populli ka pranuar deri më tani disa ankesa, përfshirë edhe Këshillin Prokurorial e Këshillin Gjyqësor dhe disa sindikata, me kërkesën që të njëjtin ligj ta dërgojë në Kushtetuese.

/TV Arbëria

Powered by WordPress