Për t’u lehtësuar barra e qytetarëve që janë goditur nga inflacioni i lartë, Lidhja Demokratike e Kosovës, po kërkon nga Ministria e Financave që me vendim të pezullojë aplikimin e rivlerësimit të fundit të pronave në vend dhe faturat e tatimit për vitin 2023, të llogariten sipas vlerësimeve të bëra para vitit 2022.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se është shqetësuese dyfishimi i çmimit në tatimi, pasi që nuk janë marrë parasysh edhe rrethanat socio-ekonomike.
Bajrami ka kërkuar nga Ministria e Financave të procedojë sa me parë në Kuvend, ligjin e ri për tatim në pronë, si dhe shtyrjen e zbatimit ndryshimin e ligjit për prona.
Ajo thotë se kjo ministri, përkatësisht departamenti i tatimit në pronë, në bashkëpunim me komunat gjatë vitit 2023, të bëjnë rishikimin e plotë të procesit të ri-vlerësimit të pronave pas përcaktimit të zonave që marrin parasysh zhvillimin e vendbanimeve dhe ngastrave kadastrale. Kjo për shkak se gjatë ri-vlerësimit të pronave të bërë më 2022, janë përdorur zonat e vjetra, si dhe janë injoruar komplet nënzonat, pasi ka dështuar sistemi i Departamentit të Tatimit në Pronë.
Bajrami: Dyfishimi i tatimit, shqetësuese që s’janë marrë parasysh rrethanat socio-ekonomike
“Është vërejtur që vlerësimi i pronave ka shumë gabime, të cilin e kanë konfirmuar edhe në shkresat zyrtare, vet Ministria e Financave drejtuar komunave të Kosovës, duke thënë që një prej mjeteve të softuerit nuk ka funksionuar dhe në fakt është injoruar komplet nën-zonimi. Kjo nënkupton që pasuri të tëra të patundshme tatohen sot me vlerësimin e ri njëjtë sikur ato që janë në rrugën kryesore, sikurse ato që janë në rrugë tretësore. Shqetësimi yni tjetër ka qenë që nuk janë marrë parasysh rrethanat socio-ekonomike, dhe ne e dimë që prej vitit 2018 nuk ka pasur lëvizje të pagave për sektorin publik. Lëvizjet e pagave në sektorin privat për të kufizuara dhe nuk e adresojnë normën e inflacionit”, thotë ajo.
Deputetja Bajrami ka thënë po ashtu se shtrenjtimi i tatimit në pronë mbi 100 për qind, ka goditur qytetarët edhe më shumë në kohën kur inflacioni ka ndikuar në shportën e konsumatorit.
Bajrami: Shtrenjtimi i tatimit është barrë e rëndë në kohën kur inflacioni ka arrit normën e lartë
“Tani duke marr parasysh edhe inflacionin sidomos në shportën bazë të konsumatorit që e ka goditur shumë, gati qe 12 muaj qytetarët, ne kemi bërë kërkesë Ministrisë së Financave që në fakt ky rivlerësim të pezullohet, kurse faturat që i gjeneron Ministria e Financave t’i gjenerojë me vlerësime të fundit, që nënkupton që qytetarët e vendit të vazhdojnë të paguajnë tatimin në pronë në vitin 2023 të njëjtë me atë që e kanë pasur në vitin 2022. Ndërkohë që gjatë këtij viti, ministria e Financave në bashkëpunim me krejt komunat të bëjë një rivlerësim të saktë ku do të merren parasysh edhe nën-zonat, rivlerësim i cili pastaj mund të konsiderohet që të hyjë në fuqi në vitin 2024”, thotë ajo.
Përveç kësaj, ajo thotë se LDK kërkon nga Ministria e Financave të procedojs sa më parë në Kuvend, ligjin e ri për tatim në pronë, për t’iu lejuar fleksibilitet më të madh komunave në caktimin e normave tatimore.
Bajrami: Me ligjin e ri të adresohet caktimi i normave tatimore
“Përveç kësaj ne kemi kërkuar që të sjellët sa më shpejt ligji i cili nga tani është finalizuar dhe qëndron në sirtarin e ministrit të Financave për tatim në pronë, një ligj i ri i cili kishte me adresuar çështjen. Ajo çka është kërkesë sot e të gjitha komunave në Kosovë, është që t’iu lejohet fleksibilitet më i madh në caktimin e normave tatimore. Sot minimumi, pragu është 0.15 për qind e vlerës së tregut. Dhe komunat sikur të kishin pasur prag më të ulët dhe fleksibilitet më të madh, ndoshta këtë çështje, për këtë vit kishin mundur ta adresojnë përmes lëvizjes së normave tatimore”, pohon Bajrami.
Ndryshe, ministri i Financave, Hekuran Murati, ditë më parë i ka propozuar komunave që të gjithë tatimpaguesve t’u falen deri në 100 euro nga vlera e tatimit në pronë për këtë vit.
Megjithatë, sipas deputetes së Bajrami, kjo gjë s’mund të ndodhë sepse komunat nuk kanë të drejtë të falin tatime. Për propozimin e Muratit, thotë ajo, e hedh poshtë ministria e tij ndërkohë që ka publikuar një shkresë të Ministrisë së Financave të drejtuar një kryetari komune për këtë çështje. /TV Arbëria