Presidenti i Turqisë, Taip Erduan, ka deklaruar se Turqia shpreson se procesi i dialogut të Kosovës me Serbinë të përfundojë duke siguruar paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në rajon.
Erdogan në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Turqia mbështet dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, derisa ka shtuar se vendi i tij pret që palët të shfaqin qasje paqësore dhe konstruktive.
Erduan: Mbështesim dialogun Kosovë-Serbi
“Ne mbështesim dialogun Kosovë-Serbi dhe presim që palët të demonstrojnë një qasje paqësore e konstruktive. Shpresojmë që procesi i dialogut me Serbinë të përmbyllet duke siguruar paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm. Turqia është e gatshëm të ofrojë çdo mbështetje të mundshme për paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë dhe të jap kontributin e nevojshëm nëse kjo kërkohet nga palët”, tha ai.
Ai ka theksuar se mbështetja e Turqisë për Kosovën do të vazhdoi në të gjitha drejtimet, duke përfshirë edhe një punë intensive për ta arritur numrin e njohjeve të pavarësisë.
Erduan: Ne mbështesim vizionin e Kosovës për anëtarësimin në NATO, KiE dhe BE
“Ne po vazhdojmë përpjekjet tona të përbashkëta për të siguruar që Kosova të arrijë pozicionin e merituar në arenën ndërkombëtare, kështu, ne mbështesim vizionin e Kosovës për anëtarësimin e saj në NATO, në Këshillin e Evropës dhe në BE”, tha ai, duke shtuar se kanë trajtuar edhe çështjet e bashkëpunimit ekonomik, tregtisë, industrisë, mbrojtjes dhe luftën kundër terrorizmit”, tha ai.
Erdogan ka thënë se i ka kërkuar Kurtit që të rrisë bashkëpunimin me Turqinë kundër aktiviteteve të grupit FETO në Kosovë.
Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili po qëndron në një vizitë zyrtare në Turqi, ka thënë se Kosova është mirënjohës për ndaljen e gjenocidit dhe ndërhyrjen e NATO-S në vendin tonë.
“E falënderova presidentin Erduan për përkrahjen e zëshme të Kosovës për anëtarësim në NATO dhe në Këshill të Evropës. Në NATO na bashkon orientimi në Këshill të Evropës, vlerat. Në të dyja na bashkon momenti kritik nëpër të cilët po kalon kontinenti i Evropës. Një nga synimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës është krijimi i një mjedisi për të tërhequr investitorët në mënyrë që të krijojmë ekonomi të qëndrueshme. Turqia është një ndër partnerët kryesor tregtar, kjo na gëzon por nuk duhet të na mjaftojë”, tha ai.
Kurti ka theksuar sekomuniteti turk në Kosovë dhe ai shqiptar në Turqi, janë urë e fuqishme e lidhjes mes dy shteteve tona. /TV Arbëria