Trajneri i Manchester United, Erik Ten Hag në konferencën e sotme para ndeshjes kundër Crystal Palace nuk u kursye nga mediat rreth situatës së Mason Greenwood.
Pas një viti, Greenwood u lirua dje nga të gjitha akuzat për sulm në tentativë dhe përdhunim ndaj ish të dashurës së tij, raporton TV Arbëria.
Kjo gjë bëri të përhapen pyetje të shumta se si qëndron situata aktuale e Greenwood te Manchester United, duke pasur parasysh se ai ende figuron në faqen e klubit si lojtar.
Po ashtu, United reagoi mbrëmë përmes një komunikate zyrtare, duke thënë se do të shikojë edhe një herë rastin para se të marrë një vendim final.
Tani, Ten Hag është përballur me pyetjet rreth çështjes së Greenwood, ku tregoi nëse ka folur me sulmuesin anglez.
“Jo. Asgjë. Nuk mund të flas asgjë. I referohem komunikatës së klubit. Siç e thashë, në këtë moment, nuk mund të komentoj mbi procesin. Nuk mund të them asgjë për të, dhe unë i referohem komunikatës së klubit”, tha Ten Hag.
Po ashtu, Ten Hag u pyet nëse situata e Greenwood ka pasur ndikim në skuadër para ndeshjes me Crystal Palace.
“Ne duhet gjithmonë të fokusohemi në ndeshje, pavarësisht çdo gjëje, është detyra jonë. Prandaj ne jemi këtu, ne duhet të bëjmë gjithçka ndaj tyre. Para dy javësh, ishte një paraqitje e keqe dhe unë nuk isha i lumtur me paraqitjen që bëmë. Ishte 90% fokus dhe energji dhe ne i humbëm dy pikë.
Nesër neve na duhet një ndeshje më e mirë, një fokus më i mirë në ndeshje. Organizim më i mirë në mënyrën se si luajmë sepse ne duhet t’i mposhtim ata, kjo është e qartë”, tha Ten Hag.
/TV Arbëria