Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka thënë se Uashingtoni dhe Brukseli e vlerësojnë si konstruktive dhe të përgjegjshme qasjen e Serbisë ndaj dialogut.
“Është punë e madhe për ne që edhe Uashingtoni edhe Brukseli, edhe pse i njohin “vijat tona të kuqe” e vlerësojnë qasjen tonë ndaj dialogut si konstruktiv dhe të përgjegjshëm”, ka thënë Daçiq në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Tutje Daçiq theksoi dy vijat e kuqe që janë – çështja e njohjes së Kosovës dhe e dyta siç thotë ai “një parakusht për të gjitha parakushtet”, që së pari të formohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.
“Është diçka për të cilën realisht nuk kemi nevojë të diskutojmë apo negociojmë përsëri, sepse është diçka për të cilën ndoshta jemi pajtuar kur e kemi nënshkruar atë marrëveshje 10 vjet më parë”, ka thënë Daçiq.
Ai tha që e sheh si të rëndësishme telefonatën që sekretari i Shtetit Blinken bëri me presidentin Aleksandar Vuçiq, para seancës së sotme të Kuvendit të Serbisë.
“Ajo thirrje ishte pasojë e drejtpërdrejtë e qëndrimit që mund të dëgjoja si në Bruksel ashtu edhe këtu në Uashington – dhe mendoj se ky është ndoshta mesazhi më i rëndësishëm, që është se performanca dhe pozicioni i presidentit Vuçiq, pra i Serbisë, vlerësohet si konstruktiv dhe i përgjegjshëm. Dhe shpesh krahasohet me Prishtinën dhe Kurtin, për të cilët ka vlerësime të kundërta”, ka thënë Daçiq.
/TV Arbëria