Blog Post

Arbëria TV > Featured > Abdixhiku për koeficentin e pagave: Koeficienti i zbrazjes së Kosovës

Abdixhiku për koeficentin e pagave: Koeficienti i zbrazjes së Kosovës

Për propozimin e vlerës së koeficientit 105 euro për pagat në sektorin publik nga ana e qeverisë, ka reaguar kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, i cila ka shkruar se në krizën më të madhe ekonomike e sociale ndër vite, Qeveria sërish tregoj pandjeshmëri.

Të mërkurën ekzuektivi ka dërguar në Kuvend propozimin për ndryshim të Ligjit të Buxhetit. Në të është paraparë që vlera e një koeficienti në ligjin e pagave të jetë 105 euro. Sipas kreut të LDK-së, kjo është pandjeshmëri e Qeverisë dhe se me të po shkaktohet braktisja e vendit.

“Pandjeshmëri ndaj përballjes qytetare, ndaj rritjes së kostos së jetesës, ndaj vet njerëzve të këtij vendi. Koeficienti në vlerë prej vetëm 105 është goditje e radhës ndaj mjekëve, mësuesve, policëve, ushtarëve e gjithë shërbyesve publik. Është braktisje e njerëzve të vendit; që shkakton braktisjen e tyre të vendit. LDK-ja ka propozuar koeficient në vlerë prej 125. Gjithçka më pak se aq është ulje e pagave për disa e mosrritje për të tjerët. Është injorim i inflacionit e kushteve të rënduara të jetesës. Këtë propozim do të dërgojmë menjëherë edhe si amandament në Kuvend. Një qeveri të shpërputhur nga realiteti, vendi ynë nuk e meriton. Kosova meriton më mirë, Kosova mundet më shumë”, ka shkruar Abdixhiku.

Ndryshe, Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në dhjetor në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës. /TV Arbëria