Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Kurti në Lupç të Podujevës, përkujtoi dëshmoren e lirisë, Elfete Humollin

Kurti në Lupç të Podujevës, përkujtoi dëshmoren e lirisë, Elfete Humollin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, sot në 33-vjetorin e rënies së dëshmores së lirisë, Elfete Humolli, bënë homazhe te kompleksi memorial në Lupç të Poshtëm.

Kurti pastaj vizitoi familjen Humolli, ku u prit nga nëna Sevdije, nëna e dy dëshmorëve, Elfetes dhe Mentorit, i cili ka rënë dëshmor më 21 mars 1999, gjatë luftimeve në Koshare.

“Risollën në kujtesë 1 shkurtin e vitit 1990, kur 33 vite më parë, duke demonstruar për lirinë e Kosovës në fshatin Lupç i Poshtëm, Elfete Humolli, dy javë para ditëlindjes së 17-të, ra dëshmore e lirisë, e vrarë nga policia serbe. Atë ditë, ajo bashkë me mijëra demonstrues shqiptarë nga fshatrat e kësaj ane të Llapit, po thërrisnin për demokraci, e përballë pushtetit të Serbisë po demonstronin për të drejta politike, për liri dhe kundër shtypjes nga regjimi serb. Në demonstratën e 1 shkurtit 1990, policia serbe shtiu me breshëri në drejtim të demonstruesve duke goditur katër prej tyre: Elfete Humolli vdiq nga plagët në vend, kurse Eset Kaçiu, Ismet Krasniqi dhe Avni Retkoceri mbetën të plagosur.“, tha Kurti, u bë e ditur në komunikatë.

Ai shtoi se familjarët kanë rrëfyer se atë ditë, Elfetja ka qenë agjërueshëm dhe para frymës së fundit, kishte pyetur për vëllain e saj 13-vjeçar Mentorin, nëse kishte shpëtuar.

Në rrugën e gjatë të popullit të Kosovës për t’u çliruar nga Serbia pushtuese, të ardhur nga dy rrugë të ndryshme, liria si destinacion i bashkoi motër dhe vëlla: Elfeten demonstruese për çlirim dhe Mentorin luftëtar të UÇK-së, që ranë dëshmorë për lirinë e Kosovës.”, u shpreh Kurti.

/TV Arbëria

Powered by WordPress