Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Sport > FFK dhe FIFA premtojnë mbështetje për klubet e prekura nga vërshimet

FFK dhe FIFA premtojnë mbështetje për klubet e prekura nga vërshimet

Mbi 300 mijë euro po vlerësohet dëmi i shkaktuar në dy stadiume të Kosovës, atë “18 Qershori” në Klinë dhe “Bajram Aliu” në Skenderaj nga vërshimet e fundit që prekën disa komuna të Kosovës.

Për të dalë nga kjo gjendje e rënduar, drejtuesit e klubit të futbollit Dukagjini dhe ata të klubit të futbollit Drenica kanë kërkuar ndihmën e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të Federatës së Futbollit.

Kjo e fundit ka premtuar mbështetje direkte për të gjitha klubet që janë prekur nga këto vërshime dhe se për këtë tashmë janë duke u bërë vlerësimet e nevojshme.

Ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të FFK-së, Taulant Hodaj, ka thënë se në këtë gjendje emergjente FFK së bashku me UEFA-në dhe FIFA-në do t’iu dalin në ndihmë klubeve.

“Federata e Futbollit si në vazhdimësi që është përkrah klubeve, posaçërisht në këtë situatë emergjente, menjëherë kryetari ka shkuar me një komision e ka verifikuar këtë gjendje të jashtëzakonshme që ka ndodhur me dëmtimin e këtyre stadiumeve. Po, iu konfirmoj që do të mbështeten nga Federata e Futbollit të Kosovës dhe besoj që edhe UEFA dhe FIFA do të na ndihmojnë në këtë drejtim që për shkak se ka qenë situatë emergjente ka qenë një vis major apo gjendje e jashtëzakonshme dhe në rrethana të tilla gjithmonë ne i mbështesim anëtarët dhe do t’i mbështesim edhe në përmirësim të infrastrukturës ku ka dëmtuar kjo gjendje që ishte.”, tha Hodaj.

Hodaj ka shtuar se Federata e Futbollit pret që në këtë situatë të ndihmohen edhe nga komunat dhe institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, por pavarësisht kësaj, kjo federatë do të jetë pranë klubeve me program konkret për përmirësimin e infrastrukturës së dëmtuar.

“Është duke u bërë një raport dhe në bashkëpunim me komunat përkatëse dhe nëse edhe institucionet qendrore të Kosovës involvohen ne do t’i ndihmojmë. Por, varësisht ai ndihmojnë komunat apo institucionet qendrore, ne, FFK-ja ka në program të vetin që të iu ndihmojë në përmirësimin e infrastrukturës të këtyre stadiumeve që janë afektuar nga kjo gjendje e jashtëzakonshme.”, theksoi Hodaj.

E një lajm i mirë për këto klube ka ardhur edhe nga shtëpia më e madhe e futbollit botëror, FIFA. Kjo organizatë përmes një letre dërguar FFK-së, e cila u lexua në kuvendin e jashtëzakonshëm të mbajtur më 27 janar, ka ofruar mbështetje për të gjitha klubet e prekura duke bërë të ditur se është duke u shqyrtuar mënyra e ndihmës për mes projektit të quajtur “FIFA Recovery Program”.

“Dua të shpreh solidaritetin për të gjithë të prekurit nga vërshimet për të gjithë të prekurit nga vërshimet në pjesën jugore të regjionit të Mitrovicës. Mendimet tona janë me ju dhe jemi duke shqyrtuar mënyrën që në këtë kohë të vështirë ta asistojmë komunitetin e prekur nga këto vërshime nën kornizën e ‘FIFA Recovery Program'”, thuhet në letrën e FIFA-së dërguar Federatës së Futbollit të Kosovës.

Përveç stadiumeve, nga vërshimet janë dëmtuar edhe palestra dhe salla të ndryshme sportive nëpër komuna si Klinë, Skenderaj, Pejë dhe Mitrovicë.

/TV Arbëria

Powered by WordPress