I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të takohet sonte me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.
Kështu konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Klisman Kadiu, këshilltar për media i zëvendëskryeministrit. Ai tha se Lajçak dhe Bislimi do të takohen për një darkë pune.
Qeveria e Kosovës tha po ashtu më herët se nuk ka asnjë kërkesë për një takim mes Lajçakut dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Për këtë vizitë të Lajçakut ende nuk ka detaje të hollësishme, por diplomatët në Bruksel pohojnë se edhe këtë vizitë duhet parë si vazhdim të përpjekjeve dinamike për të bindur palët që të pranojnë propozimin evropian për marrëveshjen bazë për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.