Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Shëndetësi > MSh ndan gjysmë milion euro për vizitat në shtëpi për gratë shtatzëna dhe fëmijët në kryeqytet

MSh ndan gjysmë milion euro për vizitat në shtëpi për gratë shtatzëna dhe fëmijët në kryeqytet

Ministria e Shëndetësisë ka ndarë gjysmë milion euro për qytetarët e Komunës së Prishtinës në kuadër të projektit “Vizita në shtëpi për gratë shtatzëna dhe fëmijët”, i cili premton përkrahje të mëtutjeshme nga granti qeveritar për shëndetësinë.

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia mori pjesë në fillimin e programit “Vizita në shtëpi për gratë shtatzëna dhe fëmijët 0 – 3 vjeç, pjesë e të cilit projekt nga sot do të jetë edhe Komuna e Prishtinës, thuhet në komunikatë për media.

Me këtë rast ai shpjegoi rëndësinë e projektit për të cilin Qeveria e Kosovës për herë të parë vitin e kaluar në kuadër të grantit specifik për shëndetësinë primare ka buxhetuar 3.4 milionë euro. Nga ky grant, Komuna e Prishtinës do të përfitojë rreth gjysmë milion euro për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore, thuhet po aty.

“Ministria e Shëndetësisë e udhëheq këtë program me mbështetje logjistike nga UNICEF-i. Jam i lumtur që nga sot pjesë e projektit “Vizita në shtëpi për gratë shtatzëna dhe fëmijët 0 – 3 vjeç bëhet edhe Komuna e Prishtinës e cila ofron një gamë të gjerë shërbimesh në kujdesin parësor për një numër të madh banorësh. Rëndësia e këtij projekti qëndron edhe në preventivën e sëmundjeve në moshë të hershme”, deklaroi ministri Vitia, i cili i falënderoi përzemërsisht UNICEF-in dhe qeverinë e Luksemburgut për përkrahjen e vazhdueshme në sektorin e shëndetësisë.

Ai theksoi se qeveria përmes komisionit të granteve ka ndarë në total në grantin për shëndetësi në komuna rreth 72 milionë euro, nga i cili grant do të përfitojë edhe Komuna e Prishtinës.

“Mirëqenia dhe shëndeti i qytetarëve është fokusi ynë kryesor, është qëllimi që na bashkon të gjithëve dhe si Qeveri jemi të hapur për çfarëdo lloj ndihme në të ardhmen që e përmirëson jetën e qytetarëve.Sot të gjithë bashkërisht duhet të funksionojmë si një trup i vetëm për ta çuar shëndetësinë në një nivel tjetër. Asnjë ndasi e çfarëdo natyre nuk është më e rëndësishme sesa shëndeti publik që mbetet qëllimi ynë i përbashkët”, deklaroi ministri Vitia.

Sipas tij, sado e rënduar që të jetë gjendja në shëndetësi, energjitë duhet të jenë të koncentruara në avancimin e shërbimeve në një nivel tjetër. Për këtë arsye, ai tha se Ministria e Shëndetësisë në kuadër të Planit Strategjik brenda këtij vitit parasheh 41 milionë e 67 mijë euro për avancimin e infrastrukturës në shërbimet spitalore dhe klinike shëndetësore si një prej prioriteteve kryesore dhe të realizmit të vizionit të Qeverisë për shëndetësinë.

Të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama i cili falënderoi të gjithë kontribuuesit duke thënë se ky program është shumë i rëndësishëm për kujdesin parësor, veçanërisht për foshnjat dhe gratë shtatzëna. Ai falënderoi edhe infermierët që janë bartësit kryesorë të këtij projekti.

Në një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtuan edhe shefja e zyrës së UNICEF për Kosovë, Nona Zicherman dhe ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz.

“Luksemburgu dhe UNICEF mbeten një nga donatorët kyç të shëndetësisë në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Programi i vizitave në shtëpi për kujdes ndaj nënës dhe fëmijës ka filluar program në vitin 2013 dhe realizohet nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me UNICEF-in.

/TV Arbëria

Powered by WordPress