Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Shqipëri > ​Rama: Akuzat e ngritura ndaj zyrtarit të FBI-së, asnjë lidhje me mua

​Rama: Akuzat e ngritura ndaj zyrtarit të FBI-së, asnjë lidhje me mua

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, akuzat e ngritura ndaj një zyrtari të FBI-së në Amerikë nuk kanë asnjë lidhje me të. Rama reagoi sot pas akuzave të ngritura nga opozita për lidhje me zyrtarin e FBI-së.

“Akuzohet në Amerikë një zyrtar i FBI për gjëra që s’kanë as edhe një lidhje me mua (se po të kishin do t’i kishte nxjerrë hetimi i atyre që nuk manipulojnë prova e as kursejnë fajtorë) dhe në Shqipëri fillon gjyqi ndaj meje në Big Brotherin e politikës, kanaleve e portaleve!”, shkroi Rama në rrjetet sociale.

“Jam mësuar, po së fundmi kam vendosur të mos merrem më me nxjerrjen e çdo guri që hidhet përditë në lumë nga protagonistët e sojsojshëm të këtij Big Brotheri pambarim!”, theksoi Rama.

“Më pak fjalë dhe akoma më shumë punë e kontakte me njerëzit që kanë punë për të bërë apo punë për të zgjidhur”, nënvizoi Rama.

Kryeministri u shpreh se, “duhen kuptuar edhe ata që s’dinë të bëjnë asgjë tjetër, ashtu siç duhen kuptuar edhe ata që s’duan të besojnë asgjë tjetër përveç asaj që duan medoemos të besojnë”./atsh

Themes by WordPress