Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Shqipëri > Përjashtimi nga PS pas përplasjeve me Ramën, Spiropali sot thyen heshtjen

Përjashtimi nga PS pas përplasjeve me Ramën, Spiropali sot thyen heshtjen

Një ditë pasi u përjashtua nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, deputetja e Shqipërisë Elisa Spiropali pritet të bëjë publik qëndrimin e saj për vendimin e ish-kolegëve. Ish-kryetarja e Kuvendit dhe ish-ministrja e Jashtme ka njoftuar se do të mbajë sot, në orën 11:00, një konferencë për shtyp nga ambientet e Kuvendit.

Deputetët socialistë votuan të martën për largimin e Spiropalit nga grupi parlamentar, duke konkretizuar vendimin e diskutuar dhjetë ditë më parë nga Asambleja e PS-së për përjashtimin e saj nga të gjitha forumet e partisë. Mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura, në mungesë të kryeministrit Edi Rama dhe vetë Spiropalit. Sipas raportimeve mediatike, të gjithë deputetët e pranishëm votuan pro përjashtimit, me përjashtim të Erion Braçes dhe Bledi Çuçit, të cilët abstenuan.

Përplasjet mes Spiropalit dhe Ramës nisën të bëheshin publike në shkurt të këtij viti, pas shkarkimit të saj nga posti i ministres së Jashtme. Në një intervistë televizive, ajo e lidhi largimin nga qeveria me mungesën e saj në votimin parlamentar për imunitetin e Belinda Ballukut, ndaj së cilës SPAK kishte kërkuar autorizimin për arrestim. Më pas, në kulmin e protestave qytetare të “Revolucionit të Flamingove”, Spiropali propozoi një “Marrëveshje të Re për Shqipërinë”, duke kërkuar rinovimin e Partisë Socialiste, vetëpastrimin e saj dhe hapjen e një debati të brendshëm mbi problemet e qeverisjes. Propozimet e saj nuk gjetën mbështetje në strukturat drejtuese të partisë.

Përjashtimi ka pasoja edhe në aritmetikën parlamentare të mazhorancës. Partia Socialiste, e cila doli nga zgjedhjet parlamentare me 83 mandate, tashmë numëron 81 deputetë në grupin e saj. Për të siguruar shumicën e cilësuar prej 84 votash, socialistët varen nga mbështetja e tre deputetëve të Partisë Socialdemokrate të Tom Doshit.