Sot bëhen 104 vjet nga vdekja e atit të pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarit të madh Ismail Qemali.
U lind në Vlorë, në vitin 1844, biri i Mahmut Nedim beut. Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes. Më mbas vazhdoi në shkollën e mesme Zosime në Janinë, ku mësoi greqishten e vjetër, latinisht dhe frëngjisht. Në vitin 1860, në moshë shumë të re, vetëm kur ishte 16 vjeç, për shkak të gjuhëve që zotëronte, filloi të punonte në Zyrën e Përkthimeve të Portës së Lartë, në Stamboll.
Deri në vitin 1900 Ismail Qemali punoi në detyra të ndryshme në administratën osmane, në Vilajetin e Janinës (1862), në Vilajetin e Danubit (1866-1876), në Filibe (1876), në Mardin 1883), në Bollu (1884-1889), në Bejrut (1889).
Në vitin 1900, kur ishte me detyrën e kajmakamit në Kesrije, për shkak të përndjekjes nga bashkëpunimi me xhonturqit dhe ideve për të arritur një organizim të shqiptarëve, la detyrën, u arratis për në Greqi dhe nga aty kaloi në Evropë. Në gjyqin që u bë në mungesë u dënua me vdekje.
Në vitin 1902 Ismail Qemali mori pjesë në kongresin e xhonturqve që u organizua nën drejtimin e Princit Sabahedin dhe Lutfullahut, në Paris. Vetëm mbas rishpalljes së Kushtetutës (1908) Ismail Qemali u kthye nga Evropa. Në zgjedhjet që u bënë mbas rishpalljes së Kushtetutës, Ismail Qemali u zgjodh deputet i Beratit dhe u bë pjesë e partisë opozitare “Osmanlı Ahrar Fırkası”.
Gjatë periudhës së kryengritjeve të shqiptarëve kundër dhunës së ushtruar nga administrata e xhonturqve që ishin në qeveri, Ismail Qemali u mundua të siguronte mbështetje nga shtetet Evropiane për të krijuar një administratë autonome brenda Perandorisë Osmane.
Në kryengritjen e Malësisë së Madhe (1911) shkoi në Çetinje të Malit të Zi, ku me iniciativën e tij u firmos edhe memorandumi me 12 pika i Kuvendit të Greçës. Me kryengritjen e vitit 1912 u arrit një autonomi e shqiptarëve brenda Perandorisë Osmane, por fillimi i Luftës Ballkanike jo vetëm që e ndërpreu formimin e një strukture të tillë, por solli edhe pushtimin dhe copëtimin e trevave shqiptare. Ismail Qemali udhëhoqi lëvizjen dhe mbledhjen që u mbajt në sarajet e familjes Vlora, ku më 28 nëntor 1912 u shpall Pavarësia e Shqipërisë dhe u zgjodh kryetar i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.
Në muajin mars 1913, nëpërmjet Dukës de Monpensier kaloi në Brindizi dhe më pas vizitoi kryeqytet e shteteve Evropiane për të siguruar mbështetje për çështjen e Shqipërisë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Më 22 janar 1914, Ismail Qemali dha dorëheqjen nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës, ia dorëzoi pushtetin Komisionit Ndërkombëtar dhe u nis bashkë me familjen për në Francë.
Ndërroi jetë më 24 janar 1919, në Peruxhia dhe më 12 shkurt u varros në oborrin e Teqesë në Kaninë, mbi Vlorë.
/TV Arbëria