Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Ekonomi > Luksemburgu i ofron 50 milionë euro ndihmë Kosovës

Luksemburgu i ofron 50 milionë euro ndihmë Kosovës

Presidentja Justina Shiroka Pula ka pritur sot në takim të ngarkuarin me punë të Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, me të cilin ka biseduar lidhur me marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral, raporton Gazeta Sinjali.

Gjatë këtij takimi, e para e shtetit ka shprehur falënderimet dhe mirënjohjen e saj për përkrahjen e vazhdueshme që Luksemburgu i ka dhënë Kosovës ndër vite, duke vlerësuar lart kontributin e këtij shteti mik në proceset zhvillimore të vendit.

Një pikë e veçantë e diskutimit ishte korniza e re e bashkëpunimit, përmes së cilës Luksemburgu zotohet të vazhdojë mbështetjen financiare për Kosovën në vlerë prej 50 milionë eurosh, e shtrirë në periudhën kohore 2026–2030.

Sipas njoftimit të lëshuar pas takimit, presidentja Shiroka Pula ka theksuar se kjo ndihmë e madhe financiare dëshmon qartë përkushtimin afatgjatë të Luksemburgut ndaj Kosovës, si dhe besimin e plotë në potencialin zhvillimor të saj.

Përveç aspektit ekonomik dhe zhvillimor, në takim u bisedua edhe për rëndësinë e mbështetjes së mëtejshme të Luksemburgut në rrugëtimin integrues të Kosovës, me fokus të veçantë në avancimin e perspektivës evropiane dhe përpjekjet për anëtarësim në NATO.