Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, ka folur me superlativa për cilësitë individuale të Edon Zhegrovës, por njëkohësisht i ka dhënë edhe një mesazh të qartë futbollistit të Kosovës pas fitores bindëse 4-0 ndaj Venezias.
Për yllin kosovar kjo ishte një ditë e veçantë, pasi regjistroi paraqitjen e parë si titullar në Serie A dhe luajti për herë të parë 90 minuta të plota me fanellën e “Zonjës së Vjetër” që nga transferimi i tij nga Lille. Zhegrova la gjurmë në këtë takim duke asistuar te goli i shënuar nga Juan Cabal, çka e çon në tri numrin e asistimeve të tij këtë sezon në kampionat, krahas dy golave të realizuar.
Pas ndeshjes, Spalletti ka vlerësuar talentin dhe këmbën e majtë të Zhegrovës, por ka kërkuar nga ai më shumë vazhdimësi dhe përfshirje gjatë gjithë takimit.
“Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm, me një këmbë të majtë fantastike, i cili mund ta bëjë dallimin. Ai prodhon momente shkëlqimi, por më pas bie nga loja”, tha fillimisht tekniku italian.
Spalletti shtoi se nga Zhegrova pret angazhim të pandërprerë përgjatë 90 minutave.
“Ai duhet të qëndrojë vazhdimisht i përfshirë në lojë. Nuk mund të jetosh vetëm me dy momente shkëlqimi dhe asgjë tjetër”, deklaroi trajneri i Juventusit.
Paraqitja e plotë ndaj Venezias shënon një hap të rëndësishëm për Zhegrovën te gjiganti italian, duke treguar besimin e stafit teknik në potencialin e tij, por edhe kërkesën e qartë për stabilitet më të madh në lojë.