Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > ​Djegia e Kuranit në Suedi, Erdogan: Nuk do të merrrni asnjë mbështetje për anëtarësim në NATO

​Djegia e Kuranit në Suedi, Erdogan: Nuk do të merrrni asnjë mbështetje për anëtarësim në NATO

Protestat në kryeqytetin suedez, dy ditë më parë, kanë rritur tensionet me Turqinë. Në një kohë kur vendi nordik ka nevojë për mbështetjen e Ankarasë për të hyrë në aleancën ushtarake, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka theksuar se nuk do të mbështesë anëtarësim e Suedisë në NATO. Reagimi i tij vjen pas djegies së një kopje të Kuranit gjatë mbajtjes së protestës. Ai kritikoi gjithashtu autoritetet suedeze për lejimin e zhvillimit të demonstratës jashtë ambasadës turke në Stokholm.

“Ata që lejojnë një blasfemi të tillë para ambasadës sonë (në Stokholm) nuk mund të presin më mbështetjen tonë për anëtarësimin e tyre në NATO. Nëse nuk respektoni besimet fetare të Republikës së Turqisë apo myslimanëve, nuk do të merrni asnjë mbështetje nga ne për NATO-n”.”Kufijtë e të drejtave dhe lirive të individit arrijnë aty ku fillojnë të drejtat dhe liritë e individit tjetër. Prandaj, akti i shëmtuar në Suedi është një fyerje për muslimanët. Asnjë person nuk ka të drejtë të ngacmojë shenjtorët e myslimanëve apo feve të tjera”, tha presidenti turk.

Ankaraja ka qenë nën presion në rritje nga zyrtarët suedezë dhe finlandezë, si dhe nga shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg për të miratuar pranimin e Suedisë dhe Finlandës që kur të tre vendet nënshkruan një memorandum trepalësh gjatë një samiti të NATO-s në Madrid qershorin e kaluar.

Të dy vendet nordike ranë dakord të trajtojnë shqetësimet e sigurisë të ngritura nga Turqia, përkatësisht praninë e organizatave kurde në Suedi që Ankaraja pretendon se kanë lidhje me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), të cilën Turqia, BE-ja dhe Uashingtoni e kanë cilësuar si grup terrorist.

Suedia dhe Finlanda aplikuan vitin e kaluar për t’iu bashkuar NATO-s, pas sulmit rus në Ukrainë, por kërkesa e tyre duhet miratuar nga të 30 vendet anëtare. Turqia ka thënë se Suedia në veçanti, duhet që fillimisht të mbajë një qëndrim më të qartë kundër atyre që i sheh si terroristë, kryesisht militantët kurdë si dhe një grup që e fajëson për një përpjekje për grusht shteti në vitit 2016.

Në vitin 2022 Finlanda dhe Suedia nënshkruan një marrëveshje trepalëshe me Turqinë, me synimin për të kapërcyer kundërshtimet e Ankarasë për anëtarësimin e tyre në NATO. Suedia thotë se ka përmbushur detyrimet e saj bazuar në marrëveshje, por Turqia kërkon më shumë, përfshirë ekstradimin e 130 personave që i konsideron si terroriste.

 

Powered by WordPress