Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës sqarime lidhur me vendimin për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe, duke ngritur pikëpyetje për efektet reale të kësaj mase, kompanitë që do të preken dhe vlerën e energjisë së tregtuar deri më tani.
Mustafa në një bisedë për Ekonomia Online ka rikujtuar se përfaqësues të Qeverisë, përfshirë ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli kanë mohuar vazhdimisht importin e energjisë elektrike nga Serbia, ndërsa vendimi i fundit për ndalimin e tregtimit me kompani serbe, sipas tij kërkon sqarime për mënyrën se si është realizuar ky tregtim deri më tani.
Ai ka ngritur pyetjen nëse masa e Qeverisë e ndalon realisht importin e energjisë së prodhuar në Serbi apo vetëm tregtimin me kompanitë serbe, duke theksuar se mbetet e paqartë nëse kompani nga vende të tjera mund të sjellin energji elektrike të prodhuar në Serbi në Kosovë.
“Dhe këtu janë dy pyetje të rëndësishme që duhet të shtrohen. E para është kjo masë a e ndalon me të vërtetë importin e energjisë nga Serbia apo jo? Për shkak se masa flet për ndalimin e tregtimit me kompani serbe, po do të thotë kjo që mund të ketë kompani jo serbe të cilat mund ta sjellin energjinë e Serbisë në Kosovë? Kjo është pyetje që kërkon përgjigje nga Qeveria. Dhe tjetra është që duhet ta dimë se cilat paskan qenë ato kompani serbe që paskan furnizuar Kosovën me energji deri më tani. Për shkak se nëse ndalon diçka duhet parë se çka po ndalohet. Dhe ne sot duhet ta dimë se cilave kompani që paskan qenë duke operuar deri tani në Kosovë po i ndalet operimi apo bashkëpunimi me to, dhe po ashtu sa ka qenë vlera e energjisë që është tregtuar deri më tani me këto kompani serbe të cilave tani po ju ndalojka operimi në Kosovë”, tha Mustafa.