Basri Beka ka reaguar ndaj disa portaleve dhe faqeve në rrjete sociale, të cilat, sipas tij, kanë nxjerrë deklaratat e tij jashtë kontekstit dhe i kanë shtrembëruar ato.
Në reagimin e tij, Beka ka sqaruar se gjatë debatit në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, ka thënë se ka pritur nga Federata e Futbollit e Kosovës që ta urdhërojë selektorin për përjashtimin e lojtarëve të caktuar nga Kombëtarja.
“Lojtarit të Kosovës nuk i ka hije të bjerë në sexhde, e as të bëjë kryqin, por ta nderojë Kosovën me shqiponjën”, ka cituar Beka deklaratën e tij.
Ai ka theksuar se nuk është në pozitë që të urdhërojë selektorin, por ka shtuar se, po të ishte në atë pozitë, do ta bënte një gjë të tillë.
Beka u ka bërë thirrje mediave që të mos i shtrembërojnë deklaratat e tij dhe të mos i paraqesin interpretimet e tyre si fjalë të tij.
“Gazetaria ka përgjegjësi për të informuar, jo për të manipuluar”, ka shkruar ai, duke kërkuar publikimin e deklaratës së plotë dhe jo të titujve që i cilësoi si të fabrikuar.