Basri Beka ka ngritur shqetësime lidhur me financimin e studimeve të fizibilitetit për ndërtimin e digave në Kosovë, duke kërkuar transparencë për shpenzimin e parasë publike.
Sipas Bekës, Kosova tashmë posedon mbi 10 studime dhe projekte për ndërtimin e digave, të cilat, sipas tij, gjenden në Ministrinë e Planifikimit dhe në Arkivin e Kosovës.
Ai vë në pikëpyetje arsyen e ndarjes së mjeteve të reja për studime që tashmë ekzistojnë, duke theksuar se në rast se nevojiten përditësime, ato mund të bëhen përmes revizionimit dhe përshtatjes me standardet aktuale.
Beka kërkon publikimin e listës së studimeve ekzistuese, kontratave, raporteve përfundimtare, kostos së secilit studim, si dhe arsyetimit teknik për financimin e studimeve të reja.
Po ashtu, ai kërkon të bëhet publike se cilat nga këto studime janë shqyrtuar para hartimit të buxhetit.