Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, përmes një reagimi të kryetarit Hysni Gucati, ka kërkuar nga shumica parlamentare dhe subjektet politike që të përshpejtojnë procedurat për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
OVL e UÇK-së ka shprehur shqetësim për zvarritjen e këtij procesi, duke e cilësuar të papranueshme që një çështje kaq e rëndësishme të mbetet peng i përplasjeve politike apo presionit të bashkësisë ndërkombëtare.
Në reagim thuhet se Qeveria dhe shumica parlamentare duhet të marrin përgjegjësinë dhe të mos lejojnë që dallimet partiake të pengojnë përfundimin e këtij procesi.
Organizata ka kritikuar edhe përdorimin e kësaj çështjeje për përçarje politike, duke kërkuar që ndryshimet ligjore të miratohen me procedurë të përshpejtuar.
Në fund, OVL e UÇK-së ka dhënë një paralajmërim të qartë: nëse procesi vazhdon të zvarritet dhe nuk përfundon së shpejti, do t’i kundërvihet kësaj qasjeje përmes organizimit të protestave gjithëpopullore.