Derisa në Kinë po zhvilloheshin bisedimet dhe Vladimir Putini po mbante konferencën për media, ku deklaronte se ishte i gatshëm për paqe, Kievi po sulmohej nga dronët rusë.
BBC raporton për disa shpërthime, ndërsa sistemet kundërajrore kanë qenë në veprim të pandërprerë. Kemi parë shtëllunga të zeza tymi që ngriheshin nga pjesë të ndryshme të qytetit.
Që nga përfundimi i bisedimeve, sulmet janë intensifikuar. Forcat Ajrore të Ukrainës thonë se Rusia tani po përdor dronë me motorë reaktivë.
Po raportohen zjarre në zonën e Podilit, në qendër të qytetit. Mbetje të mjeteve të goditura kanë rënë mbi të paktën një ndërtesë. Deri më tani, në Kiev raportohet për një person të plagosur.
Këto janë sulmet më intensive gjatë ditës që janë regjistruar prej një kohe të gjatë dhe koha kur po ndodhin sigurisht që nuk është e rastësishme.
Në Kinë, Putini po shfaqej gjithnjë e më pak i gatshëm për kompromis sa i përket bisedimeve të paqes. Ai pretendoi se Ukraina po e vazhdon luftën duke sulmuar infrastrukturën civile, përfshirë urën e Krimesë.
Megjithatë, ai nuk përmendi gati pesë vjetët e sulmeve ruse ndaj centraleve elektrike, urave dhe shtëpive në Ukrainë.