Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në një bisedë për Ekonomia Online ka komentuar ngecjet e Kosovës në disa reforma të evidentuara në Raportin e Progresit të publikuar në fillim të këtij muaji.
Limaj ka thënë se Kosova po përballet me probleme ekonomike dhe sociale, ndërsa sipas tij, shumë energji po shpenzohet në çështje që nuk kontribuojnë në zhvillimin e vendit.
Ai ka theksuar se pas përfundimit të çështjeve aktuale, institucionet duhet ta kthejnë vëmendjen te zhvillimi ekonomik, përmirësimi i jetës së qytetarëve dhe bashkëpunimi me akterët që kontribuojnë në zhvillimin e vendit.
“Ne kemi probleme të shumta ekonomike, sociale dhe me proceset në vend. Fatkeqësisht, është duke u zhvendosur fokusi nga shumë tema të ekzistencës, të zhvillimit dhe të përditshmërisë në vend. Po humbet shumë energji në gjëra të kota. Ajo që unë pres është mbyllja e këtij ligji dhe pastaj të kthehen punët. Qeveria dhe njerëzit që kanë përgjegjësi të fillojnë t’i qasen zhvillimit ekonomik të vendit, përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe bashkëbisedimit me akterët të cilët ndihmojnë në zhvillimin dhe ndërtimin e vendit tonë”, tha Limaj.
Kosova ka shënuar rënie të ritmit të reformave që lidhen me procesin e integrimit evropian gjatë vitit 2026, krahasuar me vitet paraprake.
Sipas një analize të Institutit EPIK, të bazuar në raportin e zgjerimit të Komisionit Evropian për vitin 2026, Kosova ka shënuar së paku progres të kufizuar në 67 për qind të kapitujve të reformave.
Kjo përbën një rënie të ndjeshme krahasuar me periudhën 2020–2025, kur në secilin vit progres i së paku një niveli të kufizuar ishte regjistruar në 93 deri në 96 për qind të kapitujve.
Raporti i Komisionit Evropian përfshin periudhën nga 1 shtatori 2025 deri më 1 shtator 2026, gjatë së cilës Kosova është përballur me bllokadë institucionale, zgjedhje të përsëritura dhe funksionim të qeverisë në detyrë.
Ndërkaq Limaj ka folur edhe për mënyrën se si po trajtohet çështja e Ligjit për Specialen, duke e cilësuar procesin e deritanishëm si joserioz dhe duke u bërë thirrje deputetëve që të marrin përgjegjësi për përmbylljen e tij.
Limaj ka thënë se kjo çështje ka rëndësi të veçantë për proceset që pritet të zhvillohen në të ardhmen, prandaj, sipas tij, është e nevojshme që Kuvendi të japë sa më shpejt një epilog.
Ai ka theksuar se deputetët që e kanë iniciuar dhe mbështetur këtë ligj duhet të angazhohen që ai të procedohet dhe të përmbyllet pa vonesa të mëtejshme.
“Kjo çështja me ligjin tashmë është bërë shumë joserioze, qasja ndaj saj është joserioze. Është një çështje shumë me rëndësi, shpresoj dhe ftoj deputetët të jenë më të përgjegjshëm, ta mbyllin këtë dhe të japin një epilog sa i përket çështjes së ligjit sa më shpejt, për shkak se është shumë e rëndësishme për proceset që do të vijnë”, ka deklaruar Limaj.