Dardan Krasniqi ka reaguar publikisht ndaj deklaratave të aktorit Çun Lajçi lidhur me figurën e futbollistit Xhevdet Prekazi dhe kontributin e tij për Kosovën.
Në reagimin e tij, Krasniqi ka kundërshtuar vlerësimin se Prekazi e ka lartësuar Prekazin, duke thënë se kjo trevë është bërë e njohur përmes figurave historike dhe kombëtare, si Daja Osman Geci, mësuesi Shaban Jashari, komandanti legjendar Adem Jashari dhe Hamëz Jashari.
Ai ka përmendur edhe disa deklarata që ia atribuon Xhevdet Prekazit, përfshirë qëndrimet e tij lidhur me pranimin e Kosovës në FIFA dhe UEFA, Serbinë, Beogradin dhe përfaqësuesen e Kosovës.
Krasniqi ka rikujtuar një deklaratë të vitit 2021, kur Prekazi, sipas tij, ishte shprehur: “Pse të gëzohem unë? Gjë normale ka qenë për mua”, lidhur me pranimin e Kosovës në FIFA dhe UEFA.
Po ashtu, ai ka përmendur një deklaratë të qershorit 2026 për moskualifikimin e Serbisë në Botëror, si dhe një intervistë për Klan Kosovën më 2017, ku Prekazi thuhet se kishte deklaruar se Beogradin e konsideronte qytetin e tij.
Në reagimin e gjatë, Krasniqi ka theksuar se të qenit legjendë e një kombi nuk përcaktohet vetëm nga fama apo suksesi sportiv, por edhe nga qëndrimi ndaj vendit, historisë, sakrificës dhe kontributit për shoqërinë.
“Legjendë mund të të bëjë talenti, fama apo suksesi. Por legjendë të një kombi të bën karakteri, kontributi, qëndrimi dhe respekti për sakrificën mbi të cilën është ndërtuar liria e tij”, ka shkruar ai.
Në fund, Krasniqi ka kundërshtuar atë që e quan relativizim të kontributit të UÇK-së dhe figurave kombëtare, duke theksuar se Prekazin e kanë lartësuar Adem Jashari dhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Reagimin e tij e ka përmbyllur me homazhe për dëshmorët dhe martirët e kombit.