PDK-ja thotë se ka “dakordim të plotë” me LVV-në për rishqyrtimin e ligjit për Gjykatën Speciale dhe se “më së largu të hënën” do të miratohen në Kuvend ndryshimet e reja. Ushtruesja e detyrës së kryetares së partisë më të madhe opozitare tha se tashmë janë marrë “një varg veprimesh” të dakorduara me partinë në pushtet për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.
Gazeta Express
Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku tha mbrëmë se kanë “dakordim të plotë për përmbajtjen e ligjit” për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë, i cili u kthye për rishqyrtim në Kuvend.
Çitaku tha se “më së largu deri ditën e hënë” ligji i ri do të kthehet për votim në një seancë plenare të Kuvendit.
“Po ju siguroj, sot mund ta them me siguri të plotë që brenda pak ditësh ligji do të trajtohet për shqyrtim në Komisionin për Legjislacion dhe do të kthehet për votim në seancë plenare dhe ligji do të kalojë”, tha ajo në një intervistë në Rubikon në Klan Kosova.
Ajo tha se janë disa “elemente të tjera” që kanë mbetur për t’u finalizuar.
Çitaku i falënderoi përfaqësuesit e partive, veçanërisht ata të LVV-së, si kryediplomatin Glauk Konjufca, i cili është kryesues i grupit punues për hartimin dhe harmonizimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë për katër ish-krerët e UÇK-së.
Ditët e fundit, ajo tha se në LVV kanë parë “kominikim tjetër dhe vetëdije tjetër”.
Çitaku tha se tashmë janë marrë “një varg veprimesh”, duke theksuar se është siguruar financimi për ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së.
“Financimi është siguruar. Kjo është punë e kryer dhe mund ta them. Gjithçka që është kërkuar nga Mbrojtja… Më duket ka qenë rreth 150 mijë euro në muaj për çlirimtarët tanë. Aq ka qenë kërkesa e ekipeve të mbrojtjes dhe aq janë nda”, tha ajo.
“Deri më tani, çdo kërkesë që kemi shtruar aty ka kaluar”, tha Çitaku.
Ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë ishte kërkesa zyrtare e qytetarëve që për mbi dy javë protestuan në Prishtinë për të kundërshtuar aktgjykimin e Gjykatës Speciale, e cila i dënoi Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin me nga 13 deri në 25 vjet burgim për krime lufte.
LVV-ja dhe PDK-ja pranuan se së fundmi kanë pasur diskutime të vazhdueshme për çështjen e rishqyrtimit të ligjit për Specialen.
Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerim, Marta Kos, tha para pak ditësh gjatë prezantimit të raportit të progresit se janë në bisedime me Qeverinë e Kosovës lidhur me ligjin e ri për Specialen.
“Amendamentet në Ligjin për Specialen rrezikojnë ta minojnë çdo përparim, por tashmë jemi në dialog me Qeverinë e Kosovës sa u përket këtyre amendamenteve”, ka deklaruar ajo.
BE-ja i ka quajtur të papranueshme ndryshimet e miratuara në ligjin për Specialen më 6 tetor, duke thënë se në këtë mënyrë Kosova po i shkelte detyrimet e saj ndërkombëtare.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri njoftoi të hënën se ai dhe Elmi Reçica e Ariana Musliu Shoshi, kolegët e tij të partisë që janë anëtarë të Komisionit parlamentar për Politikë të Jashtme, zhvilluan një takim me ambasadorin e BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel.
“Gjatë takimit diskutuam për shqetësimet tona lidhur me procesin gjyqësor në Hagë, respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe rëndësinë e avancimit të agjendës evropiane”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Tahiri tha se “Bashkimi Evropian mbetet partner strategjik i Kosovës, ndërsa përkushtimi ndaj vlerave të përbashkëta evropiane është thelbësor për të ardhmen tonë”.