Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Drejtësi > Organizata Shqiptaria kërkon hetimin e një organizate me bazë në Kosovë pas vendimit të Gjykatës së Kajros

Organizata Shqiptaria kërkon hetimin e një organizate me bazë në Kosovë pas vendimit të Gjykatës së Kajros

Organizata Shqiptaria ka kërkuar reagim të menjëhershëm institucional nga autoritetet e Kosovës, pas vendimit të Gjykatës Penale të Kajros, të 10 nëntorit 2026, për përfshirjen e 35 organizatave dhe 36 individëve në listat e terrorizmit.

Në reagimin publik, organizata ka theksuar se në këtë listë figuron edhe një organizatë me bazë në Kosovë, “Cultural Foundation for Science and Education”, duke kërkuar hetimin e veprimtarisë dhe lidhjeve të saj të mundshme me rrjetet e Vëllazërisë Myslimane.

Shqiptaria u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të shqyrtojnë vendimin e Gjykatës së Egjiptit dhe, nëse konstatohen kushtet ligjore, të ndërmarrin masa për ndalimin dhe shpalljen e organizatës si organizatë terroriste.

Po ashtu, organizata i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës pezullimin e bashkëpunimit institucional dhe aktiviteteve të BIK-ut që mund të kenë lidhje me organizatat e dyshuara, deri në zbardhjen e plotë të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të tyre.

Në reagim kërkohet edhe hetimi i transaksioneve financiare, burimeve të financimit dhe rrjedhës së mjeteve drejt institucioneve dhe organizatave fetare, duke theksuar se çdo financim nga jashtë duhet të jetë transparent dhe në përputhje me ligjet e Kosovës.

Organizata Shqiptaria u ka bërë thirrje edhe Bashkimit Evropian, shteteve anëtare dhe vendeve mike të Kosovës që të shqyrtojnë aktivitetet e organizatave dhe rrjeteve të dyshuara për lidhje me Vëllazërinë Myslimane.

Në pjesën tjetër të reagimit, organizata ka paralajmëruar për atë që e konsideron rrezik të ekstremizmit fetar në aspektin e sigurisë, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar.

Ajo ka përmendur edhe përfshirjen e qytetarëve të Kosovës në luftën e Sirisë, duke e cilësuar këtë si dëshmi të pasojave të radikalizimit fetar.

“Ne nuk jemi kundër besimit fetar. Jemi kundër instrumentalizimit të fesë, ekstremizmit dhe çdo përpjekjeje për ta zëvendësuar identitetin kombëtar shqiptar me identitete dhe ideologji të importuara”, thuhet në reagim.

Në fund, Organizata Shqiptaria ka theksuar se Kosova është shtet laik, demokratik dhe multietnik, duke kërkuar nga institucionet që të veprojnë menjëherë.