Një prej dronëve më të avancuar të zbulimit dhe mbikëqyrjes strategjike të NATO-s është regjistruar duke fluturuar mbi veriun e Shqipërisë, pranë kufirit me Kosovën, më 10 nëntor, sipas të dhënave të platformës së monitorimit të fluturimeve Flightradar24, raporton AlbanianPost.
Mjeti ajror pa pilot, i identifikuar si Northrop Grumman RQ-4D Phoenix, mbante sinjalin e thirrjes MAGMA10 dhe numrin e regjistrimit MM-AV-SA0015.
Pamjet e gjurmimit tregojnë se droni kishte hyrë në hapësirën ajrore shqiptare nga drejtimi i detit Adriatik, përpara se të vijonte drejt verilindjes së vendit.
Trajektorja e regjistruar përfshin një manovër pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut dhe vijimin e fluturimit drejt zonës së Kukësit, në afërsi të Kosovës.
Në një prej momenteve të dokumentuara, droni ndodhej në lartësinë 15 mijë e 880 metra, duke lëvizur me shpejtësi 543 kilometra në orë.
Flightradar24 e identifikon mjetin si pjesë të NATO-s, me regjistrim të lidhur me Forcën Ajrore italiane.
Megjithatë, RQ-4D Phoenix nuk është një dron i zakonshëm ushtarak.
Ai është pjesë e kapaciteteve të përbashkëta të Aleancës për inteligjencë, mbikëqyrje dhe zbulim, të njohura si Intelligence, Surveillance and Reconnaissance (ISR).
Një prej pesë dronëve strategjikë të NATO-s
NATO disponon pesë mjete ajrore RQ-4D Phoenix, të cilat operohen nga NATO Intelligence, Surveillance and Reconnaissance Force (NISRF).
Baza kryesore e tyre është Naval Air Station Sigonella, në Sicili të Italisë, prej nga Aleanca zhvillon operacione të mbikëqyrjes strategjike në zona të ndryshme.
Këta dronë janë projektuar për të qëndruar gjatë në ajër, në lartësi të mëdha, duke mbledhur informacion mbi zhvillimet në terren dhe duke ua transmetuar atë strukturave komanduese të NATO-s.
RQ-4D është i pajisur me teknologjinë e radarëve MP-RTIP dhe radarë me aperturë sintetike (SAR), të cilët mundësojnë mbikëqyrjen e sipërfaqeve të gjera tokësore.
Sistemi përfshin gjithashtu lidhje të avancuara të transmetimit të të dhënave në distanca të mëdha, duke lejuar që informacioni i mbledhur të përcillet në rrjetet e komandimit të Aleancës.
Ndryshe nga dronët taktikë, të cilët përdoren zakonisht pranë zonave të luftimeve, Phoenix është projektuar për mbikëqyrje strategjike në shkallë të gjerë dhe për t’u dhënë komandantëve ushtarakë një panoramë më të plotë të situatës në terren.
Nga Deti i Zi në Evropën Veriore
Fluturimi mbi Shqipëri vjen në një periudhë kur NATO ka zgjeruar përdorimin operacional të flotës RQ-4D Phoenix në rajone të ndryshme të Evropës.
Më 29 korrik, media e specializuar ukrainase Militarnyi raportoi se një tjetër dron i këtij tipi, me numër regjistrimi MM-AV-SA-0014, kishte kryer një mision zbulimi mbi Detin e Zi.
Sipas raportimit, mjeti ishte nisur nga Sigonella dhe kishte hyrë në Detin e Zi përmes hapësirës ajrore bullgare, përpara se të zhvillonte operacione mbikëqyrjeje mbi ujërat ndërkombëtare mes Bullgarisë dhe Turqisë.
Ky dron ishte pajisur më herët me kapacitete shtesë për mbikëqyrjen detare, të cilat mundësojnë identifikimin dhe gjurmimin e anijeve.
Ndërkohë, në maj të vitit 2026, NATO njoftoi se një RQ-4D Phoenix kishte operuar për herë të parë nga baza Ørland në Norvegji.
Ky operacion shënoi një zgjerim të aftësisë së Aleancës për të vendosur mjetet e saj të mbikëqyrjes strategjike jashtë bazës së përhershme në Itali, duke rritur fleksibilitetin operacional në Atlantikun e Veriut dhe rajonin e Arktikut.
Sipas raportimit të Army Recognition, vendosja në Norvegji ishte pjesë e konceptit të NATO-s për përdorimin fleksibël të kapaciteteve ajrore nga baza të ndryshme. /Albanianpost