Ndotja e ajrit vazhdon të jetë një nga sfidat kryesore mjedisore dhe të shëndetit publik në Kosovë. Kështu vlerëson Avokati i Popullit në raportin për cilësinë e ajrit në Republikën e Kosovës nga perspektiva e të drejtave të njeriut, të cilin ua ka adresuar Qeverisë dhe institucioneve të tjera përgjegjëse.Sipas raportit, të dhënat e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës tregojnë se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 171 ditë me tejkalime të vlerës kufitare ditore të grimcave PM₁₀ në rrjetin shtetëror të monitorimit. Ndotja më e theksuar është evidentuar gjatë sezonit dimëror.
“Ndotja e ajrit vazhdon të përbëjë një ndër sfidat kryesore mjedisore dhe të shëndetit publik në Kosovë”, theksohet në raport.
Raporti vë në pah edhe pasojat që ekspozimi ndaj ajrit të ndotur mund të ketë në shëndetin e qytetarëve. Sipas vlerësimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, ndotja e ajrit lidhet me rritjen e rrezikut për sëmundje respiratore dhe kardiovaskulare, ndërsa më të rrezikuarit janë fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.