Mes polemikave, përplasjeve dhe akuzave ndërmjet deputetëve, komisioni për ekonomi, industri, ndërmarrësi, tregti dhe inovacion ka vendosur të largojë nga rendi i ditës raportimin e anëtarëve të komisionit të Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës, ndërsa ka miratuar përfshirjen e projektligjit për Rregullatorin e Energjisë (ZRRE). Për këtë çështje po raporton ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli.
“Po propozoj diçka të thjeshtë, po e shohim edhe prezencën, është pika e 4 e rendit të ditë, propozoj me u largu prej rendit ditës, sepse, është bërë temë e diskutimit për një kohë të gjatë dhe po e shohim se ata nuk janë prezent dhe kërkoj mos me qenë pikë e rendit të ditës”, tha Asllani.
Propozimi i tij ka nxitur reagime nga deputetët e opozitës. Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka thënë se nuk është përgjegjësi e deputetëve të vendosin nëse përfaqësuesit e një institucioni të ftuar duhet të paraqiten apo jo.
Në përplasjet e mëtejshme është përfshirë edhe deputeti nga LDK, Ermal Sadiku, i cili e ka kritikuar Asllanin për propozimin e tij, duke e cilësuar si hipokrizi faktin që kishte kërkuar largimin e një pike, pasi më herët kishte kundërshtuar një propozim për shtimin e një pike tjetër.
Asllani ka reaguar duke thënë se diskutimi ka degraduar dhe se nuk mund të vazhdojë në atë formë.
Ndërsa deputeti nga LVV-ja, Ilir Kërçeli ka reaguar për mungesën e përfaqësuesve të Autoritetit të Konkurrencës, duke thënë se kryesuesja e këtij institucioni nuk ishte paraqitur për raportim.
Ndërkohë, një tjetër përplasje ka ndodhur lidhur me propozimin e deputetit të LVV-së, Taulant Kelmendi, për përfshirjen në rendin e ditës të projektligjit për Rregullatorin e Energjisë.
Kelmendi ka kërkuar që projektligji të shqyrtohet në mbledhjen e sotme, me arsyetimin se qeveria ia ka përcjellë kuvendit më 6 nëntor 2026 dhe se ndërlidhet me përmbushjen e obligimeve të Kosovës në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, nga i cili vendi përfiton një paketë prej 882 milionë eurosh.
Por, propozimi i tij është kundërshtuar nga kryetari i komisionit, Arben Mustafa, i cili ka shprehur habinë që një projektligj i kësaj rëndësie po kërkohet të trajtohet pa kaluar as 24 orë nga pranimi i tij nga komisioni.
Ai ka kritikuar edhe vonesat në trajtimin e projektligjit për efiçiencë të energjisë, duke theksuar se komisioni ka rreth një muaj që pret ta shqyrtojë atë.
Ndërkaq, Kelmendi i është kundërpërgjigjur, duke thënë se propozimi duhet të hidhet në votim dhe se nuk ka nevojë për komente nga deputetët për secilën kërkesë.
Mustafa ka vazhduar kundërshtimin, duke thënë se deputetët nuk kanë pasur mundësi ta analizojnë projektligjin brenda një kohe kaq të shkurtër.
Në diskutim është përfshirë edhe deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, i cili i është referuar rregullores së kuvendit, duke thënë se deputetët duhet të kenë së paku tri ditë kohë për t’u përgatitur për shqyrtimin e një pike të rendit të ditës.
Komisioni është duke vazhduar me raportimin e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli pa anëtarët nga opozita.