Kryetari i Shoqatës së Ndërtimit në Kosovë (SHNK), Valon Vataj, deklaron se sektori i ndërtimtarisë në vend po përballet me krizë të thellë, si pasojë e mungesës së fuqisë blerëse, vështirësive në financimin e projekteve dhe pasigurisë institucionale.
Në një intervistë për podkastin “Ekonomia pa Filtra” të KosovaPress-it, Vataj thotë se shumë projekte ndërtimore, veçanërisht në Prishtinë, kanë ngecur për shkak të vëllimit të madh të ndërtimeve dhe mungesës së financimit.
Sipas tij, një ndër faktorët që ndikon në rritjen e çmimeve të banesave është shtrenjtimi i materialeve ndërtimore, të cilat në masë të madhe importohen, rritja e çmimit të derivateve, kostot e transportit, çmimi i tokës dhe mungesa e fuqisë punëtore.
Vataj bën të ditur se në disa pozicione të sektorit të ndërtimit, rritja e çmimeve ka arritur deri në 150 për qind.