“Unë e argumentoj ikjen e mjekeve Kryeministër, a mund ta argumentoni ju kthimin?”
Nuk kaluan as 24 orë nga deklarata e kryeministrit Albin Kurti për kthimin e mjekëve nga diaspora në Kosovë dhe një reagim i ashpër erdhi pikërisht nga një përfaqësues i gjeneratës së re të mjekësisë, e cila po përballet me pasiguri për punësim dhe specializim.
Besfort Racaj, kryetar i Këshillit Studentor të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, e ka sfiduar publikisht kryeministrin, duke i kërkuar të tregojë se ku mbështetet pretendimi për kthimin e 171 mjekëve gjatë vitit 2025.
Gjithçka nisi të shtunën, më 7 nëntor, kur Kurti, duke folur në hapjen e edicionit të katërt të “Swiss Medical School”, deklaroi se Kosova, krahas fenomenit të njohur të ikjes së trurit, po përjeton edhe fenomenin e kundërt, atë të kthimit të profesionistëve nga diaspora.
Sipas kryeministrit, vetëm gjatë vitit 2025, gjithsej 171 mjekë janë kthyer për të jetuar dhe punuar në Kosovë.
Por Kurti nuk tregoi në fjalimin e tij se nga cili institucion e kishte marrë këtë statistikë, si ishin evidentuar mjekët e kthyer dhe ku ishin punësuar ata.
Dhe pikërisht këtu fillon reagimi i Besfort Racajt.
“Unë e argumentoj ikjen. Kryeministër, a mund ta argumentoni ju kthimin?”
Në një reagim të gjatë në Facebook, Racaj ka rikujtuar se studentët dhe profesionistët e rinj të mjekësisë i kishin dhënë afat kryeministrit deri më 6 nëntor për t’iu përgjigjur kërkesës së tyre për takim.
Sipas tij, kryeministri, ministri i Arsimit dhe ministri i Financave nuk iu përgjigjën kërkesës. Vetëm ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i kishte ftuar në takim, por pasi ishte shpallur konkursi për specializime.
Racaj e ka cilësuar konkursin si një proces që nuk pasqyron nevojat reale të institucioneve shëndetësore dhe që, sipas tij, i vendos mjekët e rinj përpara tri zgjedhjeve: të pranojnë specializime që nuk i dëshirojnë, të vazhdojnë të presin pa siguri ose të përgatiten për largim drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera.
Ai e ka konsideruar ironike që kryeministri, i cili nuk u ishte përgjigjur kërkesave të tyre, të paraqitej përpara qindra mjekëve dhe studentëve për të folur për kthimin e profesionistëve nga diaspora.
Sipas Racajt, një pjesë e madhe e të rinjve të pranishëm në sallë tashmë kanë filluar ose po planifikojnë të fillojnë kurset e gjuhës gjermane, duke menduar për të ardhmen e tyre profesionale jashtë Kosovës.
Për ta mbështetur kritikën, Racaj ka përmendur edhe një statistikë: gjatë viteve 2021–2026, mbi 650 mjekë kanë tërhequr dokumentacion nga Oda e Mjekëve të Kosovës për të kërkuar punësim jashtë vendit.
Reagimin e ka përmbledhur me një pyetje të drejtpërdrejtë:
“Unë e argumentoj ikjen. Kryeministër, a mund ta argumentoni ju kthimin?”
Çfarë tregojnë statistikat e Odës së Mjekëve?
Të dhënat publike të Odës së Mjekëve të Kosovës konfirmojnë se qindra certifikata të së kaluarës etike dhe profesionale janë lëshuar gjatë viteve të fundit, dokumente që përdoren edhe për procedurat e punësimit jashtë vendit.
Sipas të dhënave të publikuara ndër vite, më 2021 janë lëshuar 159 certifikata, më 2022 gjithsej 211, më 2023 edhe 167, më 2024 gjithsej 111, ndërsa më 2025 numri ka qenë 95.
Edhe gjatë vitit 2026 ka vazhduar ky fenomen. Sipas të dhënave që Oda ia ka konfirmuar Front Online më 16 tetor, deri në atë kohë 90 mjekë kishin kërkuar certifikatën përkatëse, prej tyre 78 doktorë të mjekësisë dhe 12 specialistë.
Shuma e këtyre shifrave arrin në 833 certifikata për periudhën 2021–2026.
Megjithatë, duhet sqaruar se certifikatat nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht 833 mjekë të ndryshëm që janë larguar nga vendi. Marrja e dokumentit tregon përgatitje ose interesim për punësim jashtë Kosovës, por jo domosdoshmërisht emigrim të realizuar.
Po ashtu, të dhënat tregojnë se numri i certifikatave të lëshuara ka shënuar rënie pas vitit 2022.
Megjithatë, këto statistika mbështesin shqetësimin se largimi i mjekëve vazhdon të jetë një problem për sistemin shëndetësor të Kosovës.
Në anën tjetër, ato nuk e vërtetojnë dhe as nuk e përgënjeshtrojnë drejtpërdrejt shifrën e Kurtit për 171 mjekët e kthyer. Për këtë duhen të dhëna të veçanta për kthimet reale.
Konkursi për 313 specializime, një tjetër pikë përplasjeje
Më 30 tetor, Ministria e Shëndetësisë kishte njoftuar hapjen e konkursit për 313 vende të reja të shkollimit specialistik, në 40 fusha të ndryshme.
Ministria e kishte prezantuar këtë konkurs si një përpjekje për t’iu përgjigjur nevojave të institucioneve shëndetësore, duke u dhënë përparësi specializimeve deficitare. Sipas saj, që nga viti 2023 janë shpallur gjithsej 1.260 vende për specializime.
Mirëpo, përfaqësuesit e studentëve dhe profesionistëve të rinj po e kundërshtojnë mënyrën se si është organizuar konkursi.
Ata kishin paraqitur tetë kërkesa që lidhen me dinjitetin profesional, mundësitë e punësimit dhe perspektivën për specializim, duke kërkuar përgjigje institucionale deri më 6 nëntor.
Këto kërkesa, sipas Racajt, nuk kanë marrë trajtimin e duhur.
Ai ka paralajmëruar se më 13 nëntor, përfaqësuesit e mjekëve të rinj do të paraqiten në Ministrinë e Shëndetësisë për të kërkuar përmbushjen e kërkesave të tyre.
Ku janë 171 mjekët e kthyer?
Në fund, përplasja ndërmjet deklaratës së kryeministrit dhe reagimit të Racajt ngre një pyetje që kërkon përgjigje institucionale.
Nëse gjatë vitit 2025 janë kthyer 171 mjekë nga diaspora, atëherë Qeveria duhet të jetë në gjendje të tregojë se si është përllogaritur kjo shifër, nga cilat vende janë kthyer këta profesionistë, në cilat institucione punojnë dhe nëse bëhet fjalë për kthime të përhershme apo angazhime të përkohshme.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme pasi në të njëjtin fjalim Kurti ka folur edhe për kontributin e mjekëve që vazhdojnë të jetojnë jashtë Kosovës, por që vijnë herë pas here për ligjërata, trajnime dhe bashkëpunim me kolegët e tyre.
Këto dy kategori nuk duhet të ngatërrohen: një mjek i diasporës që vjen për disa ditë të ligjërojë në Kosovë nuk është domosdoshmërisht një mjek që është kthyer për të jetuar dhe punuar në vend.
Përderisa Qeveria nuk e publikon metodologjinë dhe burimin e statistikës, pretendimi për 171 të kthyer mbetet një deklaratë zyrtare e pashoqëruar me dokumentacionin që do ta bënte të verifikueshme publikisht.
Ndërkaq, Besfort Racaj dhe kolegët e tij kërkojnë përgjigje për problemet me të cilat përballen sot.
Në njërën anë është kryeministri, i cili flet për kthimin e trurit. Në anën tjetër janë profesionistët e rinj të mjekësisë, të cilët thonë se po përgatiten për t’u larguar.
Dhe, përtej debatit politik, pyetja që mbetet është kjo: sa mjekë po kthehen vërtet në Kosovë, sa po largohen dhe çfarë po bën shteti për t’i mbajtur ata që ende nuk kanë ikur?
/Nacionale/