Blerim Nika ka reaguar lidhur me renditjen e gjuhëve në mbishkrimet e një institucioni publik në Mamushë, duke kërkuar që gjuha shqipe të vendoset e para, në përputhje me statusin e saj zyrtar në Republikën e Kosovës.
Nika ka vlerësuar se është e papranueshme që në një institucion publik të Kosovës shqipja të mos jetë e para në renditjen e mbishkrimeve, duke kërkuar korrigjimin e menjëhershëm të kësaj çështjeje.
Ai ka theksuar se, nëse nuk respektohet ky parim, pllakat duhet të largohen dhe të vendosen sërish në përputhje me statusin zyrtar të gjuhëve në Kosovë.
“Respekt për të gjitha komunitetet, por respekt të veçantë për identitetin, historinë dhe gjuhën e këtij vendi. Shqipja është gjuhë zyrtare në tërë Republikën e Kosovës dhe duhet të trajtohet me dinjitetin që i takon”, ka deklaruar Nika.
Ai ka theksuar se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, duke shtuar se shqipja nuk mund të trajtohet si gjuhë e dorës së dytë në vendin e vet.