Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > BE: Kosova të marrë parasysh perspektivën gjinore gjatë dhënies së lejeve për armë

BE: Kosova të marrë parasysh perspektivën gjinore gjatë dhënies së lejeve për armë

Bashkimi Europian tha se duhet të bëhen vlerësime më të mira gjatë lëshimit të leje për armë zjarri, duke marrë parasysh edhe perspektivën gjinore.

Në kontekstin aktual pas rastit të fundit të femicidit që zgjoi revoltë qytetare, BE tha se duhet t’i kushtohet vëmendje dhunës në familje dhe kontrollit të armëve.

Bashkimi Europian tha se vazhdon të mbështesë Kosovën dhe pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor në forcimin e sigurisë për të gjithë qytetarët përmes Udhërrëfyesit për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta (SALË).

Në një takim të Koordinimit Lokal për Udhërrëfyesin SALË, të mbajtur në Prishtinë, institucionet e Kosovës, BE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë shqyrtuan progresin e arritur dhe diskutuan hapat e mëtejshëm për forcimin e kontrollit të armëve të zjarrit, bashkëpunimit rajonal dhe parandalimit të dhunës me armë zjarri.

“Vëmendje e veçantë iu kushtua parandalimit të dhunës në familje me armë zjarri dhe integrimit të perspektivës gjinore në kontrollin e armëve të zjarrit. Sipas SEESAC, që financohet nga BE-ja, në Kosovë u regjistruan 46 incidente me armë zjarri në mjedise familjare gjatë vitit 2025 dhe 15 të tjera në gjysmën e parë të vitit 2026, duke theksuar nevojën për vlerësime më të mira të rrezikut dhe për marrjen parasysh të perspektivës gjinore gjatë lëshimit të lejeve për armë zjarri”, tha BE.

Si partneri më i fuqishëm dhe më i besueshëm i Kosovës dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare, përfshirë mbështetjen për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta, BE-ja u zotua se mbetet e përkushtuar për ndërtimin e komuniteteve më të sigurta në Kosovë dhe në mbarë Ballkanin Perëndimor.