Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > ORGANIZATA SHQIPTARIA: KOSOVA NUK ËSHTË TERRITOR PËR NDARJEN E PUSHTETIT ME SERBINË!

ORGANIZATA SHQIPTARIA: KOSOVA NUK ËSHTË TERRITOR PËR NDARJEN E PUSHTETIT ME SERBINË!

Reagim ndaj Raportit të Progresit të Bashkimit Evropian, 4 nëntor 2026

Organizata Shqiptaria kundërshton fuqishëm kërkesën e paraqitur në Raportin e Progresit të Bashkimit Evropian, të publikuar më 4 nëntor 2026, që Kosova të nisë procesin që çon drejt themelimit të mekanizmave të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë.

Kjo kërkesë, në formën dhe kontekstin në të cilin paraqitet, është e papranueshme për Organizatën Shqiptaria dhe për çdo qytetar që e konsideron sovranitetin e Kosovës të panegociueshëm.

Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Brenda territorit të saj nuk ka vend për ndarjen e pushtetit shtetëror me Serbinë, as për krijimin e mekanizmave që mund të shndërrohen në instrumente të ndikimit politik dhe institucional të Beogradit.

Të drejtat e komunitetit serb duhet të garantohen dhe të mbrohen, njësoj si të drejtat e të gjitha komuniteteve të tjera, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Por garantimi i të drejtave të komuniteteve nuk mund të shndërrohet në krijimin e një pushteti paralel, në cenimin e funksionalitetit të shtetit apo në institucionalizimin e ndikimit të Serbisë brenda Kosovës.

Është e papranueshme që në këtë raport nga Kosova të kërkohet të ndërmarrë hapa drejt mekanizmave të vetëmenaxhimit, ndërsa nga Serbia të kërkohet vetëm të nisë një proces për njohjen e dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës. Këto dy kërkesa kanë peshë të ndryshme politike dhe institucionale.

QËNDRIMI YNË ËSHTË I PRERË:

1. Asnjë mekanizëm nuk mund të cenojë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
2. Asnjë marrëveshje nuk mund t’i japë Serbisë kompetenca apo ndikim institucional brenda territorit të Kosovës.
3. Asnjë qeveri dhe asnjë lider nuk ka mandat të negociojë sovranitetin e vendit në emër të interesave afatshkurtra politike.
4. Çdo marrëveshje duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe të mos krijojë struktura të pushtetit paralel.

Organizata Shqiptaria deklaron se çdo lider, parti politike apo qeveri që pranon lëshime që cenojnë sovranitetin dhe shtetësinë e Kosovës, do të mbajë përgjegjësi të rëndë historike dhe politike. Veprime të tilla do t’i konsiderojmë tradhti ndaj interesit kombëtar dhe do t’i kundërshtojmë me të gjitha mjetet.

Asnjë funksion shtetëror, asnjë interes partiak dhe asnjë presion ndërkombëtar nuk mund të jetë mbi interesin e Kosovës.

Çdo rezistencë qytetare, politike dhe institucionale kundër marrëveshjeve që cenojnë sovranitetin e Kosovës është e drejtë legjitime e qytetarëve.

Kosova nuk është pronë e politikanëve.

Kosova nuk është objekt pazari ndërkombëtar.

Kosova nuk është protektorat i Serbisë.

KOSOVA ËSHTË SHTET DHE SOVRANITETI I SAJ NUK NEGOCIOHET!

ORGANIZATA SHQIPTARIA