“Aktakuzë nga varri: ‘Për ju është rutinë, për mua është jetë. Arlinda e shkroi sa ishte gjallë. Sot, letra e tretë e publikuar na e sjell sërish zërin e saj: një grua që e pa rrezikun, e dokumentoi dhe kërkoi mbrojtje”, ka thënë Ushtruesja e Detyrës së Kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.
“Çdo letër e saj kërkon përgjigje. Çdo thirrje e shpërfillur kërkon llogari. Secili që kishte detyrë të vepronte duhet të japë përgjegjësi për veprimet dhe mosveprimet e veta”.
Drejtësi për Arlindën, thekson ajo, do të thotë edhe një sistem që i dëgjon gratë, i beson dhe i mbron në kohë. “Që asnjë grua të mos ketë nevojë të na flasë nga varri për t’u dëgjuar”.
Çitaku potencoi se “i mbështes protestat për drejtësi për Arlindën, duke respektuar thirrjen e organizatorëve që ato të mbeten qytetare, pa ngjyrime partiake, me një kërkesë të përbashkët: llogaridhënie dhe mbrojtje të jetës së grave, sot dhe përherë!”.
Këtë të diel është publikuar edhe një letër e Arlinda Zekajt, e cila i ishte drejtuar gjyqtarit Migjen Kastrati, ku i lutej, ndër të tjera, që t’ia caktojë urdhrin mbrojtës, pasi që tregonte se po e ndjente rrezikun për jetën e vetë.
Arlinda Zekaj u vra nga kunati i saj me sëpatë, më 25 tetor. Ajo kishte kërkuar mbrojtje nga shteti, por shteti dështoi që ta mbrojë.