Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Dy kllounë, një konferencë dhe asnjë përgjegjësi

Dy kllounë, një konferencë dhe asnjë përgjegjësi

Dolën sot në mëngjes dy ministrat, Xhelal Sveçla dhe Donika Gërvalla, për të na i lexuar gjetjet rreth vrasjes së Arlinda Zekajt. Na treguan se si kishte rrjedhur ngjarja, se si kishin dështuar institucionet, se si nuk ishin respektuar procedurat dhe se si shteti e kishte lënë Arlindën të pambrojtur, shkruan NACIONALE.

Pra, dolën për të na treguar ato që, pak a shumë, i kemi ditur tash e një javë.

Dhe, pasi na i lexuan të gjitha këto dështime, na thanë se nuk do të japin dorëheqje, sepse nuk paskan përgjegjësi të drejtpërdrejtë.

Këta dy kllounë duket se nuk e kuptojnë një gjë elementare: kur ke përgjegjësi të drejtpërdrejtë penale, nuk është puna te dorëheqja, por te prokuroria dhe, nëse vërtetohet fajësia, te burgu.

Dorëheqja kërkohet pikërisht për përgjegjësi politike dhe morale.

Përgjegjësi për faktin se je në krye të institucioneve që kanë dështuar. Përgjegjësi për faktin se ke pasur vite të tëra për ta ndërtuar një sistem që funksionon, por nuk e ke bërë.

Këta po harrojnë se qeverisja e tyre po i afrohet vitit të gjashtë. Gati gjashtë vjet pushtet, gjatë të cilave, para hundëve të tyre, sistemi i drejtësisë dhe i llogaridhënies ka vazhduar të degradojë.

Dhe tash, kur pasojat e këtij dështimi janë fatale, përgjegjësinë e paskan vetëm policët, prokurorët dhe zyrtarët e niveleve më të ulëta.

Por, prisni pak.

A nuk ishin pikërisht këta të dy që, para dhjetë vjetësh, pas vdekjes së Astrit Deharit në paraburgim, kërkonin dorëheqjen e ministrit të Brendshëm dhe të ministres së Drejtësisë?

As atëherë ministrat nuk kishin përgjegjësi të drejtpërdrejtë për vdekjen e Deharit.

Madje, Donika Gërvalla atëbotë shkruante se përgjegjësia morale dhe politike nuk ishte kategori që e njihte elita politike kosovare.

Çfarë ironie!

Kur ishin në opozitë, përgjegjësia politike dhe morale ishte arsye për dorëheqje. Kur janë në pushtet, ajo kategori nuk ekziston më.

Por Donika Gërvalla sot shkoi edhe më larg.

Ajo ngriti mundësinë se në këtë rast mund të ketë pasur edhe ndikime politike. Një deklaratë që mund të kuptohej si aludim ndaj pretendimeve të hedhura për lidhje të familjes Haradinaj me burrin e Arlindës.

Pra, Gërvalla po pyet se si është e mundur që institucionet të mos kenë respektuar procedurat, nëse nuk ka pasur ndikim politik.

Kjo është një mënyrë jashtëzakonisht e ndyrë për ta zhvendosur debatin.

Nëse ministrja ka dëshmi për ndërhyrje politike, le t’i paraqesë ato para organeve të drejtësisë. Por të hedhësh dyshime në ajër, pa ofruar prova, në një konferencë ku duhet të japësh llogari për dështimet e institucioneve që drejton, është përpjekje për ta shpërndarë mjegullën dhe për ta larguar vëmendjen nga përgjegjësia jote.

Natyrisht, edhe këtu duhet gjetur një mënyrë për ta kthyer debatin te qeveritë e mëparshme. Te kundërshtarët politikë. Te dikush tjetër.

Gjithmonë te dikush tjetër.

Por deri kur?

Kur është kufiri kohor pas të cilit këta njerëz do të pranojnë se janë përgjegjës për shtetin që e qeverisin?

Sa vjet duhet të kalojnë? Dhjetë? Pesëmbëdhjetë? Sa gjenerata duhet të ndërrohen që këta të mos kenë më mundësi t’ia hedhin fajin dikujt që ka qeverisur para tyre?

Në fund, dolën dy nga figurat kryesore të kësaj qeverie dhe bënë dy gjëra: ose konstatuan ato që tashmë i dinim, ose shpërndanë mjegull politike për ta zhvendosur përgjegjësinë.

Asnjë akt përgjegjësie personale. Asnjë dorëheqje.

Dhe kjo na çon te pyetja më e thjeshtë:

Çfarë bëjnë këta njerëz, përveç që marrin paga?

Sepse Arlinda Zekaj nuk kishte nevojë që dy ministrat t’ia lexonin dosjen pasi u vra.

Ajo kishte nevojë që institucionet e tyre t’ia lexonin paralajmërimet sa ishte gjallë.