Pas Prishtinës dhe Pejës, edhe Mitrovica do të protestojë në shenjë solidarizimi me Arlindën dhe në kërkim të drejtësisë për vdekjen e saj, si dhe për të gjitha gratë që kanë kërkuar mbrojtje nga institucionet, por nuk e kanë marrë atë.
Protesta është thirrur për nesër, të premten, më 30 tetor 2026, duke filluar nga ora 13:00. Nisja do të bëhet nga shtatorja e Isa Boletinit, ndërsa marshimi do të vazhdojë drejt Gjykatës, Qendrës për Punë Sociale (QPS) dhe Policisë.
Përmes kësaj proteste, organizatorët kërkojnë dorëheqje, llogaridhënie dhe ndjekje penale për të gjithë personat që konsiderohen përgjegjës për dështimet institucionale që, sipas tyre, çuan në vdekjen e Arlindës dhe të grave të tjera.