Donika Gërvalla u emërua Koordinatore e dhunës në familje më 13 mars 2026 nga kryeministri Albin Kurti. Në njoftimin për emërimin e saj, Qeveria premtoi forcimin e mekanizmave të parandalimit dhe adresimit të dhunës ndaj grave.
Më 16 qershor u mbajt takimi i parë i Grupit Koordinues, ndërsa më 19 qershor Gërvalla u takua me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
Më 7 korrik, ajo takoi gjyqtarë dhe prokurorë për të diskutuar trajtimin e rasteve të dhunës në familje. Ndërkaq, më 8 shtator nisi puna për hartimin e Strategjisë Kombëtare për periudhën 2027–2031.
Kaq nga Donika.
Por në realitet, në periudhën kur ajo po merrej me këto “strategji”, u vranë shtatë gra.
E në rastin e Arlinda Zekajt, dështuan pikat kyçe të strategjisë të kësaj qeverie.
Pika një e objektivës së tyre: parandalimi dhe identifikimi i dhunës. DËSHTIM.
“Nën këtë objektiv strategjik është parashikuar edhe puna me kryerësit e dhunës, pasi nevoja për trajtimin e tyre është tashmë një domosdoshmëri”.
Në rastin e Arlinda Zekajt, jo që u punua me kryerësit e dhunës, por edhe u intervistuan si dëshmitarë dhe e lanë veç dy metra larg asaj që paralajmëronte vrasje.
Pika tjetër: sigurimi i shërbimeve të përgjithshme dhe shërbimeve mbështetëse të specializuara për viktimat. – DËSHTIM.
“Parashikohet strehim i sigurt, i aksesueshëm dhe i disponueshëm 24 orë çdo ditë të javës, për të gjitha grupet e grave, e linjat telefonike të ndihmës”.
Arlindës iu mohua prania e Policisë me kohë në shtëpinë e saj, iu mohua komunikimi normal me zyrtarët përgjegjës, e injoruan dhe e lanë vetë.
“Prokurorët kanë për obligim t’i ndërmarrin masat e nevojshme, varësisht nga vlerësimi i rrezikshmërisë së rastit konkret të dhunës në familje”.
Edhe kjo dështim. Askush nuk e bëri vlerësimin e rrezikut, askush nuk ia dëgjoi thirrjet Arlindës e as provat të cilat ajo i posedonte.
Pikë kyçe e kanë edhe koordinimin e institucioneve. Dështim.
Parandalimin apo identifikimin e rrezikut. Dështim.
Të dështoi strategjia, Donika Gërvalla.
Këtë e la me testament Arlinda Zekaj.