Ambasada gjermane në Prishtinë ka njoftuar se kompania gjermane Daimler Truck AG ia ka dorëzuar zyrtarisht disa kamionë Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës.
Ambasada tha se kjo ngjarje tregon për bashkëpunimin e ngushtë që ka industria gjermane e mbrojtjes me Kosovën dhe tha se pret që ky partneritet të zhvillohet edhe më tej.
“Kemi kënaqësinë të dëshmojmë një tjetër moment të rëndësishëm në partneritetin e fuqishëm ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës. Kompania Daimler Truck AG, përmes divizionit të saj të mbrojtjes, Daimler Truck Defence, ia ka dorëzuar zyrtarisht kamionët Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës. Automjetet janë prokuruar dhe financuar nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës”, njoftoi ambasada.
Në ceremoninë e dorëzimit morën pjesë kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ambasadori Rainer Rudolph dhe Daniel Zittel, shef i shitjeve në Daimler Truck Defence”.
“Partnerë të fortë, vlera të përbashkëta dhe vizion i përbashkët për të ardhmen”, përfundoi ambasada.