Asamblistët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) e kanë lëshuar sallën gjatë seancës së 13-të të rregullt të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Jugut, në shenjë proteste ndaj, siç thanë, gjuhës fyese dhe linçuese të kryetarit të komunës, Faton Peci.
Shefi i grupit të asamblistëve të PDK-së, Shkëlqim Ibrahimi, tha se vendimi për ta lëshuar seancën erdhi pas deklarimeve publike të Pecit dhe mënyrës se si, sipas tij, kryetari po u drejtohet asamblistëve të opozitës.
Ibrahimi, duke iu referuar një sekuence në emisionin “Context”, ku Peci kishte folur për një fotografi të tij, tha se në mandatin e kaluar, pavarësisht arrestimit të dy asamblistëve të opozitës, përfaqësuesit e PDK-së nuk kishin përdorur gjuhë fyese apo nuk kishin paragjykuar përfundimin e rastit.