Qëndrim Kryeziu ka reaguar ndaj deklaratës së Egzon Azemit, i cili ka komentuar fotografitë e bashkëshortëve të dy viktimave të vrasjeve të fundit të grave në Gjilan dhe Pejë me zyrtarë e deputetë të partive opozitare.
Azemi ka shkruar se po ta kishin të njëjtat fotografi me ndonjë deputet apo anëtar të Lëvizjes Vetëvendosje, titujt e lajmeve do të ishin ndryshe.
Pas kësaj deklarate, Kryeziu ka kritikuar atë që e konsideron politizim të rasteve tragjike, duke theksuar se përgjegjësia për vrasjet duhet kërkuar te institucionet që kanë për detyrë të mbrojnë qytetarët.
Ai ka kërkuar përgjegjësi nga Policia, prokuroria, Ministria dhe i gjithë zinxhiri institucional, nëse vërtetohet se ka pasur dështime.
Kryeziu ka përmendur edhe rastin Dehari, duke rikujtuar premtimet për zbardhjen e tij dhe duke kritikuar përdorimin e tragjedive për akuza politike.
“Populli don drejtësi, jo refrene për vota”, ka shkruar Kryeziu në reagimin e tij.