Publikimi i rezultateve preliminare për financimin e projekteve kulturore për vitin 2026 ka nxitur reagime dhe pakënaqësi në skenën kulturore të Kosovës.
Dramaturgu Jeton Neziraj ka reaguar ashpër ndaj rezultateve të publikuara nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, duke kërkuar dorëheqjen e Saranda Bogujevcit.
“Skandal, fyerje e tallje me skenën kulturore! Jep dorëheqje Saranda Bogujevci, mos u ban pjese e kësaj talljeje që i bahet skenës kulturore!”, ka shkruar Neziraj në Facebook.
Pas publikimit të listës preliminare të përfituesve të mbështetjes financiare për projektet në fushën e artit dhe kulturës për vitin 2026, rezultatet kanë shkaktuar pakënaqësi lidhur me shumat e ndara për projekte kulturore, duke ngritur diskutime për mënyrën e financimit dhe mbështetjen institucionale të skenës së pavarur.
Në vitet 2023 dhe 2024, për mbështetjen trevjeçare të organizatave të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore, shuma minimale e përkrahjes ishte 50 mijë euro, ndërsa maksimumi arrinte deri në 100 mijë euro në vit.
Në vitin 2026, kufijtë janë ndryshuar ndjeshëm. Mbështetja minimale është 10 mijë euro, ndërsa ajo maksimale 40 mijë euro.
Kështu, krahasuar me kufirin maksimal të viteve paraprake, mbështetja është ulur me 60 për qind.