Basri Beka ka kërkuar dorëheqjen e ministres përgjegjëse pas rastit tragjik të vrasjes së Arlinda Zekajt, duke kritikuar pushtetin për, siç thotë ai, kufizimin e burimeve për Prokurorinë, menaxhimin e dështuar dhe emërimet e padenja.
Beka ka vlerësuar se pushteti, në vend se të marrë përgjegjësi për dështimet institucionale, po përpiqet t’ia bartë përgjegjësinë vetëm Prokurorisë.
Sipas tij, rasti i Arlinda Zekajt nuk duhet të shndërrohet në instrument për shmangien e përgjegjësisë politike.
Ai ka theksuar se, nëse institucionet kanë dështuar ta mbrojnë një qytetare që kishte kërkuar ndihmë, përgjegjësia duhet të hetohet në çdo hallkë institucionale, përfshirë edhe atë politike.
“Ka ardhur koha që ministrja përgjegjëse të japë dorëheqje”, ka deklaruar Beka, duke shtuar se dështimet institucionale me pasoja të rënda kërkojnë përgjegjësi konkrete dhe jo vetëm deklarata publike.
Ai ka thënë se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe të kërkojnë llogaridhënie deri në dorëheqjen e ministres, nëse pushteti nuk e merr vetë përgjegjësinë.
Në fund, Beka ka theksuar se drejtësia kërkon hetim të paanshëm, ndërsa përgjegjësia politike kërkon guxim për të dhënë dorëheqje.