Policia e Kosovës ka konfirmuar se Arlinda Zekaj ishte intervistuar për dhunë në familje, përpara se të gjendej e vdekur në Vitomiricë të Pejës.
Sipas njoftimit policor, më 25 tetor, rreth orës 19:00, autoritetet u njoftuan për rast dhuneje në familje.
Gruaja u shoqërua në stacionin policor për intervistim.
Bashkëshorti i saj u arrestua, u intervistua dhe u ndalua për 48 orë, thotë Policia.
“Viktima, me vullnetin e saj, është dërguar në shtëpinë e saj në fshatin Vitomiricë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Por rreth orës 21:10, autoritetet morën njoftimin se ajo ishte gjetur pa shenja jete.
Ekipi mjekësor konstatoi vdekjen.
Policia thotë se ajo vdiq nga goditjet me një mjet të fortë.
Si i dyshuar për vrasjen përmendet kunati i saj.
Sipas Policisë, personi i dyshuar ishte në arrati, ndërsa Prokuroria dhe njësitë hetimore dolën në vendngjarje për të sqaruar rrethanat.