Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Paralajmëroi institucionet se jeta e saj ishte në rrezik, Prokuroria reagoi pas vrasjes së gruas në Pejë

Paralajmëroi institucionet se jeta e saj ishte në rrezik, Prokuroria reagoi pas vrasjes së gruas në Pejë

Gruaja nga Peja, e cila u vra të dielën në mbrëmje, tri ditë para rastit i ka paralajmëruar institucionet për rrezikun për jetën e saj.

Me një letër drejtuar prokurores në Pejë, ajo kishte kërkuar urgjentisht marrjen e masave ndaj atyre që siç ka shkruar ajo, kishin dështuar t’i përmbushin detyrat e tyre, në mbrojtjen e jetës së saj.

“Kërkoj urgjentisht marrjen e masave ndaj të gjithë zyrtarëve që kanë dëshmuar rëndë në përmbushjen e detyrave të tyre, duke bartur përgjegjësinë të njëri-tjetri, e kështu duke lejuar që pasojat dhe rreziku për jetën time të vazhdojnë. Kërkoj ekzekutimin e menjëhershëm të urdhrit gjyqësor dhe hapjen e hetimeve ndaj të gjithë zyrtarëve të përfshirë, duke filluar nga QPS-ja”, thuhet në letër.

Viktima tutje kishte shkruar se uron që institucionet përgjegjëse të mos detyrohen të japin llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta e saj, derisa letrën e dërguar e kishte quajtur “shpresën e saj të fundit”.

“Kjo është shpresa ime e fundit. Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime. Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje! Gruaja me ligj në dorë po e vritka gruan – jo burri. E dhimbshme deri në asht”, përfundon letra.

Gjithashtu sipas Policisë, ditën kur u vra në orën 19:00 në Stacionin Policor në Pejë viktima kishte njoftuar për dhunë në familje, ku ishte arrestuar bashkëshorti i saj e ishte ndaluar më pas për 48 orë. E më vonë, sipas njoftimit, viktima “me vullnetin e saj” ishte dërguar në shtëpinë e saj në Vitomericë. Rreth orës 21:10 Policia ishte njoftuar se e njëjta ishte gjetur pa shenja jete.