Prodhimi i opiumit në Afganistan, që për një kohë të gjatë ishte prodhuesi më i madh në botë, ka rënë ndjeshëm që kur talibanët vendosën një ndalim gjithëpërfshirës të narkotikëve të paligjshëm në vitin 2022.
Megjithatë, grupi militant islamist nuk ka arritur ta zhdukë plotësisht kultivimin, teksa prodhimi duket se është zhvendosur gjithnjë e më shumë në Pakistanin dhe Iranin fqinjë.
Provinca jugperëndimore e Pakistanit, Baloçistan, dhe provinca juglindore e Iranit, Sistan-Baloçistan, të dyja në kufi me Afganistanin, kanë shënuar një rritje të madhe të kultivimit të lulëkuqes në vitet e fundit, sipas imazheve satelitore dhe intervistave me fermerë vendas.
“Ndalimi i drogës nga talibanët, i kombinuar me rritjen e paqëndrueshmërisë në zonën kufitare mes tri vendeve, ka krijuar kushtet për kultivim të gjerë të lulëkuqes në provincën Baloçistan të Pakistanit dhe në pjesë të Iranit”, tha David Mansfield, një ekspert për industrinë e narkotikëve të paligjshëm në Afganistan, me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.
Kultivimi i lulëkuqes merr hov me gjithë goditjen e talibanëve
Si rezultat, zonat e largëta dhe të paqëndrueshme kufitare të Afganistanit, Pakistanit dhe Iranit janë shndërruar në “një qendër globale të prodhimit të opiumit”, shtoi Mansfield, autor i librit: “Një shtet i ndërtuar mbi rërë: Si e minoi opiumi Afganistanin”.
Ekspertët paralajmërojnë se në vitin 2027 kultivimi i lulëkuqes në rajon mund të rritet edhe më shumë. Sipas tyre, kjo mund të rrisë furnizimin e tregut ndërkombëtar me heroinë, të gjenerojë të ardhura për grupet e armatosura dhe të nxisë dhunën.
Provinca Baloçistan duket se është shndërruar në qendrën kyç të kultivimit të opiumit në rajonin kufitar mes Afganistanit, Pakistanit dhe Iranit.
Baloçistani, provinca më e madhe dhe më e varfër e Pakistanit, është përballur prej dekadash me një kryengritje të grupeve separatiste dhe militantëve të tjerë, kryesisht nga pakica etnike baluçe. Dhuna është përshkallëzuar vitet e fundit, teksa grupet e armatosura kanë intensifikuar fushatën kundër shtetit.
Islamabadi ka hedhur poshtë raportimet për kultivimin e opiumit në vend dhe ka këmbëngulur se çdo parcelë me lulëkuqe që është zbuluar është shkatërruar. Ministria e Brendshme e Pakistanit dhe Qeveria provinciale e Baloçistanit nuk iu përgjigjën kërkesave të Radios Evropa e Lirë për koment.
Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin (UNODC) ka vlerësuar se prodhimi i opiumit në Pakistan mbetet i vogël.
“UNODC-ja ka thënë në të kaluarën se kishte tregues për zhvendosjen e kultivimit të lulëkuqes drejt vendeve përreth Afganistanit”, tha agjencia përmes një deklarate dërguar Radios Evropa e Lirë.
“Ajo që vërejmë aktualisht është se të dhënat nga vendet përreth Afganistanit janë ende të pakta, pasi vetëm dy vende raportojnë për shkatërrimin e të mbjellave. Ndonëse shifrat për shkatërrimin e të mbjellave nuk pasqyrojnë drejtpërdrejt modelet e kultivimit, rritjet e mëdha në vitet e fundit tregojnë se efektet e përhapjes në vendet fqinje janë në njëfarë mase të pranishme”.
Megjithatë, pamjet satelitore nga Alcis, një kompani britanike e specializuar në analizat satelitore, si dhe intervistat me fermerë vendas, sugjerojnë se kultivimi i opiumit është i përhapur në të gjithë provincën dhe po zgjerohet.
“Analizat e pamjeve satelitore identifikuan më shumë se 9.000 hektarë me lulëkuqe vetëm në Baloçistan”, tha Mansfield, i cili është autor i një raporti të Alcis-it që u publikua në gusht.
Pjesa më e madhe e kultivimit të opiumit duket se është përqendruar në qarqet Loralai dhe Killa Abdullah të Baloçistanit.